Si u përdor toka në Shijak për skemën e dyshuar të pastrimit të parave?
SPAK zbërthen skemën: 600 mijë € në lojë dhe roli i Raiffeisen Bank
Një skemë e dyshuar e pastrimit të parave është zbardhur në një dosje hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku rreth 600 mijë euro me burim financiar të paqartë dyshohet se janë qarkulluar përmes blerjes dhe rishitjes së një prone me sipërfaqe mbi 15 mijë metra katrorë në zonën e Sallmones, pranë Shijakut, fillimisht e përfituar nga Raiffeisen Bank.
Sipas dokumenteve të administruara nga SPAK, në qendër të kësaj skeme ndodhet shoqëria “Kryon.83” sh.p.k., e cila gjatë vitit 2023 rezulton me detyrime ndaj furnitorëve në vlerën 78.4 milionë lekë. Nga verifikimi i librave të blerjeve, kjo kompani ka realizuar gjatë të njëjtit vit transaksione blerjeje që arrijnë në 156.8 milionë lekë.
Një prej veprimeve që ka ngritur dyshime serioze tek hetuesit lidhet me kontratën e datës 13 shtator 2023, përmes së cilës Raiffeisen Bank i shiti “Kryon.83” një pasuri të llojit “arë”, me sipërfaqe 15.218 metra katrorë në Sallmone, për shumën prej 55 milionë lekësh.
Megjithatë, kjo pasuri nuk qëndroi gjatë në pronësi të kompanisë. Vetëm tre muaj më vonë, ajo u rishit. Sipas të dhënave të dosjes, më 28 dhjetor 2023 prona iu kalua shoqërisë “Amar Logistic” sh.p.k., e përfaqësuar nga Edmond Shaba, kundrejt shumës 58 milionë lekë.
Ajo që bie në sy në këtë transaksion është mënyra e pagesës. Hetimet tregojnë se pagesa nuk është kryer përmes një transferte të zakonshme bankare, por përmes mekanizmave të tjerë financiarë.
Huatë pa interes dhe kompensimi i detyrimeve
Sipas dokumenteve të SPAK, pjesa më e madhe e shumës, konkretisht 56.5 milionë lekë, është shlyer përmes kompensimit të një huaje të dhënë më 11 shtator 2023, vetëm dy ditë përpara blerjes së pronës nga “Kryon.83”. Ndërsa diferenca prej 1.5 milionë lekësh ishte parashikuar të depozitohej në një llogari noteriale.
Në kontratën përkatëse rezulton se “Amar Logistic” i kishte dhënë hua “Kryon.83” shumën 55 milionë lekë, pa interes dhe me afat kthimi gjashtë muaj, deri më 11 mars 2024. Dokumenti parashikonte gjithashtu se, në rast mosshlyerjeje brenda afatit, prona në Sallmone do të kalonte automatikisht në pronësi të huadhënësit.
Dyshime për burim kriminal të fondeve
Prokuroria e Posaçme vlerëson se kjo hua ka shërbyer në realitet për financimin e blerjes së pronës nga Raiffeisen Bank. Nga verifikimet paraprake, hetuesit dyshojnë se fondet e përdorura kanë burim financiar të panjohur dhe mund të jenë produkt i veprimtarive kriminale.
Sipas SPAK, e gjithë skema dyshohet se është ndërtuar për të fshehur origjinën e parave përmes transaksioneve të pasurive të paluajtshme, duke përdorur shitblerjen si mekanizëm për pastrimin e tyre.
Në dosjen hetimore përmendet edhe Edmond Shaba, përfaqësues ligjor i “Amar Logistic”, i cili konsiderohet nga hetuesit si person i lidhur me Fadil Ballën, aktualisht nën hetim për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ky rast është pjesë e një hetimi më të gjerë që po zhvillohet nga SPAK mbi skemat e dyshuara të pastrimit të produkteve të veprës penale përmes investimeve dhe tregut të pasurive të paluajtshme.
Masa sigurie dhe pasuri të sekuestruara
Në kuadër të operacionit kundër një grupi të strukturuar kriminal, që sipas SPAK drejtohet nga Luçiano Koçeku dhe Abedin Koçeku, janë caktuar masa sigurie “arrest me burg” për vëllezërit Erjon Rama dhe Adrian (Ardian) Rama.
Po ashtu, janë vendosur masa sekuestrimi mbi një sërë pasurish që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal, konkretisht:
- 7 vila në Palasë, të shitura nga Erjon dhe Adrian Rama, si dhe 1.626.000 euro të përfituara nga shitja e tyre, të bllokuara në llogaritë bankare.
- 9 llogari bankare në emër të Erjon Ramës.
- 21 llogari bankare në emër të Adrian (Ardian) Ramës.
- Një pronë në Sallmone, Shijak, si dhe 58 milionë lekë të përfituara nga shitja e saj, të sekuestruara në llogaritë e Adrian Ramës.
- 3 llogari bankare të kompanisë “Kryon.83”, në pronësi të Adrian Ramës.
- 2 vila në Rolling Hills në pronësi të Ardian Ramës.
- Një truall në Sarandë.
- 3 vila dhe 2 apartamente në Jalë.
- Kompania “Kryon.83”, me seli në Tiranë dhe Prishtinë, e përfshirë në masat e sekuestrimit.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë lidhjet financiare dhe personat e përfshirë në këtë skemë të dyshuar të pastrimit të parave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



