Si u plagos me thikë nga kunati avokati i dosjeve VIP
Një avokat i njohur është plagosur me thikë nga vëllai i gruas së tij ditën e martë, në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, te rruga “Emin Duraku”, në Tiranë.
Bëhet fjalë për avokatin Alban Bengasi, i cili ka qenë palë mbrojtëse në disa gjyqe të rëndësishme gjatë kohëve të fundit. Bengasi ka qenë avokat i dy shtetasve turq që u arrestuan në Tiranë, Ervin Matës, e të tjerë të pandehurve në çështje të bujshme të ndodhura së fundmi.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës tha se autori i dyshuar i ngjarjes, që është edhe kunati i të dëmtuarit, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Ai është 45-vjeçari Roland Ruçi, i cili u arrestua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas disa orësh ndjekjeje.
Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha dje se ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti mes dy personave, duke vënë në pranga 45-vjeçarin që tentoi të vriste me thikë kunatin e tij, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, ende nuk janë të qarta motivet e ngjarjes, ndonëse Policia thotë se bëhet fjalë për motive të dobëta.
Ne u interesuam pranë Spitalit të Traumës, për të mësuar më shumë rreth gjendjes shëndetësore të avokatit Bengasi, por mësuam se ai nuk është i regjistruar aty dhe sipas mjekëve, mund të jetë paraqitur për të marrë ndihmën e nevojshme në ndonjë prej spitaleve private në Tiranë.
POLICIA
“Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti mes dy personave. Vihet në pranga 45-vjeçari që tentoi të vriste me thikë kunatin e tij, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha dje zyrtarisht Policia.
Më tej, sqaroi se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Emin Duraku” kishte konflikt mes dy shtetasve, ku një prej tyre kishte goditur me thikë shtetasin tjetër, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar në vendin e ngjarjes, shtetasi Roland Ruçi, 45 vjeç, është larguar me shpejtësi.
Në ndjekje janë vënë forca të shumta të Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kontrollesh, kanë bërë të mundur kapjen e tij. “Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i shtetasit Roland Ruçi, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, goditi me thikë kunatin e tij, shtetasi Alban Bengasi. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale ‘Vrasje me dashje e mbetur në tentativë’, ‘Dhuna në familje’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



