Si u rrahën dy përmbarues privatë, për borxhin e noteres në resortin turistik
Misir Hoxha dhe Nelson Hoxha (babë e bir), kanë rrahur të prenren rreth orës 10:00, në parkimin ballor të hotel-resortit “Ballkan”, dy përmbaruesit privatë Altin Latifi dhe Engjëll Muskaj.
Resorti është pronë e familjes Hoxha dhe një vendqëndrim i njohur nga kalimtarët e shumtë në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, në Mirakë.
Ditën e premte parkimi i resortit është kthyer në arenë të një skene dhune, ku Misir Hoxha ka goditur me shkelma e grushta së bashku me djalin e tij, dy përmbaruesit privatë Latifi dhe Muskaj.
Nga burimet policore mësohet se ngjarja ka ndodhur kur dy përmbaruesit po bëheshin gati të sekuestronin brenda ambjenteve të resortit orenditë e tij, për shkak të një borxhi të vjetër që daton nga viti 2014.

Sipas burimeve policore, Arben Isufi i shoqërisë “Arbeni-Al” shpk kishte fituar të drejta për pagimin e një borxhi rreth 100 mijë euro, me një vendim gjykate të vitit 2014. Për pagimin e borxhit ngarkohej shoqëria “Resort Ballkan” shpk, pronare e resortit të familjes Hoxha.
Procesi për ekzekutimin e borxhit kishte filluar në vitin 2014 nga përmbaruese Kozeta Caka, e cila e kishte pezulluar atë për shkak të disa vendimeve nga gjykatat.
Arben Isufi dhe Misir Hoxha, sipas policisë janë personazhe të njohur në qarkun e Elbasanit dhe të Durrësit. Për ekzekutimin e borxhit pas 10 vjetësh janë pajtuar dy përmbaruesit Altin Latifi me Engjëll Muskaj që përfaqësojnë një shoqëri private “Enforcement Group” shpk me qendër në Fier.
Notere Teuta Hoxha, bashkëshorte e shtetasit Misir Hoxha me aktivitet në Elbasan ka komunikuar me përmbaruesit për problemin ligjor që paraqiste borxhi i bashkëshortit të saj, borxh që nuk njihet nga familja Hoxha.


Megjithatë, përmbaruesit Latifi dhe Muskaj janë shfaqur në dyert e resortit “Ballkan”, paraditen e së premtes, në kohën kur lokali i hotelit dhe resorti ishte me klientë, për të sekuestruar dhe hequr orenditë e tij.
Ky fakt ka irrituar Misir dhe Nelson Hoxhën që kanë dalë jashtë në parking duke goditur fizikisht dy përmbaruesit dhe shtrirë përtokë ata. Në çastet e rrahjes, punonjësit e policisë nuk ishin prezentë megjithëse ishin thirrur më vonë.
Me mbërritjen e forcave të policisë së Librazhdit, janë ndaluar të gjithë të pranishmit e ngjarjes së shëmtuar, dhe Misir e Nelson Hoxha janë ngarkuar me veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”.
Pritet një prononcim i Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, i cili kontrollon përmbaruesit dhe noterët privatë, por edhe një qëndrim i Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili është përgjegjës për rolin e Policisë së Shtetit në ngjarje të tilla anti-turistike, veçanërisht kur ato prekin zonën që ai ka mbuluar si deputet i Qarkut të Elbasanit dhe Librazhdit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



