E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandal në Drejtësi, Manjani: Gjyqtarët po shantazhohen me dosjen ‘Agasi’
Lajme

Skandal në Drejtësi, Manjani: Gjyqtarët po shantazhohen me dosjen ‘Agasi’

Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar ashpër ndaj zërave që po qarkullojnë në Tiranë për presione të mundshme ndaj gjyqtarëve në disa çështje të ndjeshme. Sipas tij, nëse përdorimi i materialeve hetimore për qëllime shantazhi rezulton i vërtetë, kemi të bëjmë me një akt të pastër mafioz që cenon drejtpërdrejt themelet e drejtësisë.

Në fokus të debatit është dosja ndaj biznesmenit Ergys Agasi, e administruar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas raportimeve mediatike, materiale të përfshira në këtë dosje – përfshirë video apo komunikime private – dyshohet se janë përdorur për të ushtruar presion ndaj një gjyqtari, i cili më pas ka ndryshuar qëndrimin e tij në sallë.

Manjani thekson se përdorimi i të dhënave hetimore jashtë qëllimit të procesit për të cilin janë mbledhur përbën krim. “Vendimet e marra nën shantazh janë të padrejta”, shprehet ai, duke shtuar se kushdo që përdor materiale të tilla për të ndikuar vendimmarrjen sillet në mënyrë mafioze, pavarësisht funksionit që mban.

Ai bën dallim të qartë mes shantazhit dhe formave të tjera të paligjshmërisë si korrupsioni apo shpërdorimi i detyrës, duke e konsideruar shantazhin si një formë edhe më të rëndë presioni, pasi synon të nënshtrojë vullnetin e individit përmes frikës apo ekspozimit publik.

Në reagimin e tij, Manjani nënvizon gjithashtu se, nëse ekzistojnë gjyqtarë apo prokurorë që ndihen të shantazhueshëm për shkak të materialeve komprometuese, ata duhet të japin dorëheqjen përpara se të cenojnë integritetin e sistemit. Sipas tij, përgjegjësia për administrimin dhe përdorimin e materialeve hetimore i takon institucionit që i disponon, dhe çdo devijim nga përdorimi ligjor i tyre përbën shkelje të rëndë.

Debati është ndezur pas raportimeve se një gjyqtar dyshohet të jetë përballur me kërcënimin e publikimit të një videoje intime, çka, sipas burimeve jozyrtare, mund të ketë ndikuar në vendimmarrjen e tij. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi këto pretendime.

Në përfundim, Manjani shprehet se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi presion dhe frikë. Sipas tij, transparenca dhe respektimi i kufijve ligjorë në përdorimin e provave janë thelbësore për të garantuar besimin publik në sistemin e drejtësisë.

Shënimi i plotë i Ylli Manjanit:

Shantazhi është krim mafioz

Përdorimi për shantazh i të dhënave hetimore që janë siguruar në hetimet ndaj Ergys Agasit, quhet krim. I organizuar madje në stil mafioz.

Vendimet nën shantazh janë të padrejta.

Shantazhuesi është kriminel i tipit mafioz. Kushdo që e bën ashtu quhet: mafioz.

Kujdes, shantazhi nuk është korrupsion, as ndikim i paligjshëm e as shpërdorim detyre. Këto të fundit ti puthësh e ti vësh në ballë përpara shantazhit mafioz.

Nëse është e vërtetë se me të dhënat hetimore të dosjes “Agasi” shantazhohen gjykatës e prokurorë, akti është i rëndë dhe i tipit mafioz. Edhe kur këtë gjë e bëjnë shtetarë të drejtësisë njësoj është, mafioz.

Vendimet e gjykatave, ku gjykatësve të tyre u tregohet materiali shantazhues, janë të padrejta. Janë mafioze.

E kuptoj se shumë njerëz mendojnë se përse e kanë bërë veten ata gjykatës e prokurorë të shantazhueshëm. Edhe unë nuk po i justifikoj në asnjë kuptim, përkundrazi i ftoj të dorëhiqen sa më parë nga detyrat të mbajnë.

Gjyqtarë të Kushtetueses të parët.

Gjyqtarë të Vettingut, gjykatës e prokurorë që e dinë se janë të shantazhueshëm, duhet të dorëzojnë detyrën, përpara se të kapen gafil.

Por shantazhi në vetvete është akt mafioz. Shumë më i rëndë sesa e liga që mund të ketë bërë i shantazhuari.

Nuk e di se ç’video, foto apo biseda telefonike ka SPAK në atë dosje, por përdorimi ligjor i tyre nënkupton vetëm në atë proçes, dhe jo kundër kujtdo tjetër jashtë tij. Çdo përdorim tjetër quhet shantazh. Mafie quhet.

Gjithnjë nëse janë të vërteta aludimet ne nënzëshme për gjykatës që ndryshojnë mendim  dhe marrin vendim kundër asaj që mendojnë.

Tani i bie t’i lutemi Gysit ti nxjerrë ato video vetë që të bjerë përdorimi i “monopolizuar” i tyre nga ata që i administrojnë për shkak të hetimit.

Me atë rast u bie edhe çmimi spekulantëve politikë e mediatikë…

Mirë do ishte në fakt,  të dalin ato video, foto e biseda që të bëhet edhe një vetting tjetër në drejtësi dhe, mbase kuptojmë edhe se kush ka kërkuar “ndihmë” për të kaluar vettingun…

Se me shantazhe nuk ndërtohet asgjë e drejtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.