Skandali: Djegësi i Tiranës fiton sa 3-fishi i normës
Inceneratori i Tiranës ka fituar për vitin 2021 3-fishin e fitimit të parashikuar që mund të ketë një kompani e suksesshme në vend, e kjo në kurriz të qytetarëve.
Kompania “Integrated Energy BV SPV” ka deklaruar së fundmi bilancin vjetor në Qendrën Kombëtare të Biznesit me një normë fitimi që i ka kaluar 30 për qind, në një kohë që norma mesatare e fitimit në vend, sipas INSTAT, luhatet midis 7-10 për qind. Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci, kompania Integrated Energy BV SPV ka raportuar të ardhura në vlerën e 2.6 miliardë lekëve në vitin financiar 2021, ndërsa fitimi para taksave ishte 793 milionë lekë, apo 6. 2 milionë euro.
Norma e fitimit ishte sa 30.5% e të ardhurave të realizuara. Një normë të ngjashme fitimi është raportuar edhe në vitin 2020, ku të ardhurat e kompanisë ishin 2.3 miliardë lekë dhe fitimi zyrtar i raportuar ishte 723 milionë lekë.
Në realitet, norma reale e fitimit mund të jetë shumë më e lartë, teksa një proces hetimor nga SPAK ka zbuluar skema të frikshme pastrimi parash në kompanitë simotra në inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Në vitin 2016, kur qeveria shpalli koncesion PPP për djegien e plehrave me incenerim, e argumentoi këtë politikë me faktin se investitori privat do të kryente investimin me fondet e veta, të cilat do të shlyheshin më vonë viti pas viti nga buxheti.
Por realisht inceneratorët kanë marrë dhe vijojnë të marrin pagesa, të cilat nuk i kanë të justifikuara me punë, por nuk bëjnë djegien e mbetjeve siç është parashikuar në kontratë. Revista Monitor raporton më tej se kompania Integrated Energy BV SPV e inceneratorit të Tiranës, vetëm gjatë 6 muajve të parë 2022 ka përfituar nga buxheti i shtetit mbi 400 milionë lekë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave nga viti 2018 deri në qershor 2022, buxheti i shtetit ka bërë pagesa 4,9 miliardë lekë ndaj kësaj kompanie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



