Skandali i 152 milionë dollarëve që 2 muaj pas hapjes u shkatërrua
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar ashpër lidhur me projektin e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, duke e cilësuar si një nga rastet më flagrante të abuzimit me fondet publike dhe dështimeve qeveritare.
Sipas saj, rruga 40.5 kilometra, me vlerë 152 milionë dollarë dhe e financuar nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit për Zhvillim dhe Qeveria Shqiptare, është kthyer në simbol të keqmenaxhimit. Dëmtimet e rënda vetëm dy muaj pas inaugurimit e kanë bërë projektin një skandal publik.
Vangjeli theksoi se lotet 1 dhe 2 duhej të përfundonin në vitin 2018, ndërsa loti 3 në vitin 2017. Asnjë prej tyre nuk u realizua në kohë, duke shkaktuar vonesa deri në 8 vjet dhe një rritje të kostove me të paktën 60 milionë dollarë. Përveç kësaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte paralajmëruar që në vitin 2019 për rreziqet dhe parregullsitë e projektit, por institucionet përgjegjëse i kanë injoruar.
Një tjetër shqetësim është fakti se mbi aksin janë vendosur 6 kontrata shtesë nga ARRSH me vlerë 2.4 milionë euro, duke ngritur dyshime për klientelizëm dhe korrupsion. Fitues i disa loteve është kompania 2T shpk, në pronësi të vëllait të kryebashkiakut të Tepelenës, pavarësisht problemeve të mëparshme të kompanisë. Sipas Vangjelit, kjo tregon se tenderat mund të kenë qenë të paracaktuar.
“Projekti i Qukës–Qafë Plloçë është një histori abuzimesh dhe shpërdorimi të fondeve publike, që kulmoi me dëmtimin e rëndë të rrugës vetëm dy muaj pas inaugurimit propagandistik. Hapja e rrugës pa procedurë kolaudimi ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve,” deklaroi Vangjeli.
Partia Demokratike kërkon që SPAK të nisë hetimet menjëherë, të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit, si dhe të garantojë llogaridhënie për milionat e fondeve të shpërdoruara dhe për rrezikun e shkaktuar ndaj qytetarëve. Shqiptarët meritojnë transparencë, siguri dhe institucione që punojnë për ta, jo projekte të dështuara dhe korrupsion të pandëshkueshëm.
DENONCIMI
Projekti i ‘Ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë’, një histori abuzimesh, vonesash dhe shpërdorimi të miliona eurove të fondeve publike, që ka kulmuar me dëmtimin e rëndë të rrugës vetëm dy muaj pas inaugurimit propagandistik të Kryeministrit Edi Rama. Projekti me gjatësi 40.5 km, i ndarë në tre lote, me vlerë të vlerësuar 152 milionë dollarë, financuar nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit për Zhvillim dhe Qeveria Shqiptare, është kthyer në simbolin e dështimit dhe korrupsionit qeveritar.
Edhe pse lotet 1 dhe 2 duhej të kishin përfunduar në vitin 2018 dhe loti 3 në vitin 2017, asnjë prej tyre nuk u finalizua në kohë. Rruga u hap me 7-8 vite vonesë, duke rritur kostot me të paktën 60 milionë dollarë shtesë. Përveç kostove të ndërtimit dhe mbikëqyrjes, janë zhvilluar dy procedura për shërbime konsulence me vlerë 5.6 milionë euro, ndërkohë që ARRSH ka shfaqur mangësi të theksuara në projektim dhe menaxhimin e financimit, veçanërisht për lotin 3. Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëroi që në vitin 2019 për rreziqet dhe problemet e rënda të këtij projekti, por paralajmërimet u injoruan.
Më alarmante është se mbi këtë aks janë mbivendosur fonde publike përmes 6 kontratave të tjera prokuruar nga ARRSH me vlerë totale 2.4 milionë euro për punime dhe mirëmbajtje të kësaj rruge që prej vitit 2018 e në vijim. Fituesi i fundit i shpallur më 20 nëntor, ishte kompania ‘2T shpk’, në pronësi të vëllait të kryebashkiakut të Tepelenës, ku si për lotin 1 dhe për lotin 3 me gjithë problemet e paraqitura në të shkuarën janë përzgjedhur të njëjtët fitues , tregues që ngre dyshime se garat nuk kanë qenë reale, por të paracaktuara, duke konsoliduar klientelizmin dhe korrupsionin. Pas rrëshqitjes së skarpatave dhe dëmtimit të rëndë të rrugës vetëm dy muaj pas inaugurimit, mediat raportuan se kompania 2T ka nisur punimet për largimin e masivit shkëmbor ndërkohë që ende nuk ekzistonte një kontratë e lidhur dhe e njoftuar e tillë në sistemin elektronik të prokurimeve për këtë qëllim.
Edhe më shqetësues është fakti se rruga është hapur pa procedurë kolaudimi. Ligji është i qartë: asnjë vepër infrastrukturore nuk mund të hapet pa u certifikuar cilësia e punimeve. Hapja e këtij aksi pa kolaudim ka vënë drejtpërdrejt në rrezik jetën e qytetarëve. Partia Demokratike kërkon që SPAK të nisë menjëherë hetimet për këtë aferë të rëndë korruptive, të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit, si dhe të garantojë llogaridhënie për miliona euro të shpërdoruara dhe për rrezikun e madh të shkaktuar ndaj qytetarëve. Shqiptarët meritojnë transparencë, siguri dhe institucione që punojnë për ta, jo projekte të dështuara, kosto të fryra dhe korrupsion të pandëshkueshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



