Skandali i BRUKSELIT/ Zbardhen bisedat telefonike të familjes Panzeri, “digjen” nënë e bijë
Mediat italiane e cilësojnë skandalin e Brukselit si “Punë italiane” ose ndryshe “grusht shteti italian”. Familja e ish- eurodeputetit Antonio Panzeri, i cili u arrestua si pjesë e grupit të korrupsionit, është vënë në shënjestër të autoriteteve italiane dhe belge.
Bashkëshortja e tij Maria Dolores Colleoni dhe vajza Silvia janë në arrest shtëpiak, por në shtëpi të ndryshme. Ato nuk mund të kenë asnjë kontakt me gazetarë apo të afërm dhe u janë konfiskuar celularët.
Sipas një raporti të RAI, prokurorët italianë kanë rënë dakord me kërkesën për ekstradimin e të dyjave në Belgjikë, ndërsa avokati i tyre kishte tentuar të bllokonte ekstradimin, madje duke kërkuar më shumë kohë për të studiuar dosjen.
Në rezidencën e Panzerit në Bruksel, sipas informacioneve të shtypit italian, janë gjetur 500 mijë euro. 17,000 euro të tjera u konfiskuan nga policia financiare pas një bastisjeje në shtëpinë e Panzerit në një fshat jashtë Bergamos në Italinë veriore.
Në bisedat telefonike të regjistruara në kuadër të hetimit, si bashkëshortja ashtu edhe vajza diskutojnë për aktivitetet e paligjshme të ish-deputetit. Ato janë të vetëdijshme për veprimin e tij, edhe u gëzohen shumve të mëdha të parave dhe dhuratave. Ata madje marrin pjesë në transportin e “dhuratave”.
Maria Colleoni në biseda të ndryshme shfaqet në ankth dhe vë në pikëpyetje hapur aftësinë e të shoqit për të kryer transportin e parave. Ajo vazhdimisht i thekson atij se ai nuk duhet të bëjë “transaksione pa qenë në gjendje ta justifikojë atë”.
Ndonjëherë ishte ajo që sugjeronte se si të përdoreshin paratë, duke treguar transferimin e tyre në llogari të ndryshme. Çifti diskutojnë shpesh për përdorimin e një karte krediti që u është dhënë nga një person me pseudonimin “Gjigandi”, ndërsa 63-vjeçarja kërkon që “të futen menjëherë në llogarinë e saj 35 mijë euro”.
Bashkëshortja megjithatë dëgjohet duke i thënë Panzerit se “nuk kemi mundësi të shpenzojmë 100 mijë euro për pushime si vitin e kaluar”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



