E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali i ri me Sterilizimin dhe ‘Check Up’: Beqaj u fali miliona euro TVSH, koncensionarëve
Lajme

Skandali i ri me Sterilizimin dhe ‘Check Up’: Beqaj u fali miliona euro TVSH, koncensionarëve

Ministria e Shëndetësisë ka firmosur në mënyrë abuzive kontratat e koncensionit të Sterilizimit dhe Check up, duke shkelur ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka treguar se shteti shqiptar ka paguar vetëm gjatë vitit 2022 rreth 4 milionë euro TVSH për Sterilizimin dhe “Check up” ndërkohë që shërbimet shëndetësore sipas ligjit përjashtohen nga pagesa të tilla. KLSH thotë se qytetarëve u janë mohuar 12 mijë operacione më pak, vetëm nga pagesa e TVSH-s, që ka shkuar në xhepat e pronarëve të kompanive koncensionare. Sipas KLSH, fajtor për këtë abuzim është ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ka hartuar në mënyrë abuzive kontratat koncensionare.

Thellohet skandali me dy nga konçensionet e Shëndetësisë, atë të kontrollit mjekësor bazë të njohur si PPP e “Check up” dhe koncensionin e Sterlizimit.

Ministria e Shëndetësisë, veç abuzimeve të njohura deri më tani dhe të faktuara nga hetimet e SPAK, duket se në kundërshtim të plotë me ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ka hartuar kontrata abuzive me dy kompanitë që kanë fituar këto konçensione.

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, publikuar së fundi, është konstatuar se Ministria e Shëndetësisë ka paguar Tatim mbi Vlerën e Shtuar për faturat e koncensionit të “Check Up” dhe të Sterilizimit, ndërkohë që sipas ligjit, shërbimet shëndetësore dhe barnat janë të përjashtuar nga pagesa e TVSH-s.

“…furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe veprimeve të lidhura ngushtë me to, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të shtetasve, përfshirë parandalimin, diagnozën, trajtimin, kurimin e sëmundjes apo çrregullimeve shëndetësore dhe rehabilitimin, nga institucionet shëndetësore publike ose private, të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shëndetësor…”

Sipas KLSH, vetëm gjatë vitit 2022, shteti shqiptar ka paguar rreth 4 milionë euro TVSH për koncensionin e Sterilizimit dhe të “Check up:. KLSH shton gjithashtu se nëse kjo shumë parash nuk do të ishte paguar për TVSH-në, por do të shkonte në destinacionin e duhur, do të ishin kryer edhe 12705 ndërhyrje kirurgjikale më shumë.

“Për rrjedhojë nëse TVSH e paguar për sterilizimin në vitin 2022, do të përdorej në destinacionin e duhur do të ishin kryer edhe 12705 ndërhyrje kirurgjikale të kompleksiteetit të mesëm më shumë. Ndryshimi i destinacionit të fondeve ka sjellë uljen e nivelit të shërbimit, pot ë konsiderojmë faktin që ky shërbim është realizuar në masën 100% të buxhetit të planifikuar, ç`ka do të thotë që tavani buxhetor ka kufizuar dhënien e shërbimit.”

Por KLSH shkon më tej, duke ngritur akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, e cila me vetëdije të plotë për përcaktimet ligjore, ka parashikuar në kontratën konçensionare pagesën e faturave së bashku me 20 përqind TVSH.

“Kushtet e kontratës PP së Kontrollit Mjeëksor Bazë dhe Sterilzimit, ku është përcaktuar likuidimi i faturave me TVSH, në kundërshtim me aktet ligjore në kushtet e njohjes së ligjit dhe zbatimit të tij me dy standarde nga përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, duke patur në konsideratë faktin që për dy kontrata të shërbimeve në fushën e mjekësisë nuk është applikuar TVSH.”

Pra, KLSH tregon se abuzimi me dy konçensionet në fjalë, sterilizimin dhe “Check Up” është kryer me vetëdije të plotë nga Ministri i Shëndetësisë, i cili, në dy raste të tjera të dhënies me koncesion të shërbimeve shëndetësore, si ai i Laboratorëve apo i Hemodializës, nuk ka parashikuar pagesën e TVSH-s për faturat e shërbimit që do të kryente kompania koncensionare.

Mbetet e paqartë se si SPAK që po heton dy koncensionet në fjalë, nuk ka marrë në konsideratë një abuzim të tillë me dëm miliona euro për buxhetin e shtetit, ndërkohë që për Prokurorinë e Posaçme ka qenë e thjeshtë për të disponuar raportin e kontrollit të lartë të shtetit, që ka konstatuar abuzimin në fjalë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.