E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali me diplomat e falsifikuara, ish-rektori i Wisdom: Më falsifikuan firmën, MAS dërgoi grup pune pas denoncimit
Lajme

Skandali me diplomat e falsifikuara, ish-rektori i Wisdom: Më falsifikuan firmën, MAS dërgoi grup pune pas denoncimit

Ish-rektori i Universitetit Wisdom, Lush Përpali, ka folur në lidhje me skandalin e diplomave të falsifikuara që shiteshin deri në 10 mijë euro në tregun italian.

wisdom

Në rubrikën Opinion në Neës24, Përpali tregoi si dha dorëheqjen si rektor në 23 dhjetor 2023 pas sjelljes arrogante ndaj pronarëve, ndërsa sqaroi të gjithë procedurën, deri te depozitimi i një padie.

“Ka një histori të shkurtër derisa kemi ardhur te padia. Kam qenë rektor deri në 23 dhjetor 2023. Kam paralajmëruar pronarët se do të jap dorëheqjen që në 5 tetor.

Shkaku i paraqitjes së dorëheqjes ishin sjelljet arrogante të pronarëve ndaj stafit, pushime nga puna pa asnjë lloj arsye dhe nuk paguheshin pagat.

Ua kam thënë që ju ndërhyni në mënyrë brutale në institucion. Hiqnin stafin pa asnjë arsye, pa pyetur fare Rektorin dhe po kështu rekrutimet bëheshin pa respektuar asnjë kriter.

Në atë kohë nuk ishin certifikatat, pasi nuk diheshin. Kur kam dhënë dorëheqjen doli edhe ky problemi i madh i certifikatave false.

Nga muaji dhjetor, Ministria e Arsimit, kërkoi informacione nëse një certifikate ishte i saktë apo jo”, tha Përpali, i cili theksoi se pas verifikimeve ka rezultuar se certifikata ishte false.

“Pasi jam larguar si Rektor, kam marrë informacione edhe për 3-4 raste të tjera, që kishin të bënin me certifikatat.

Në janar 2024 i jam drejtuar Ministrisë së Arsimit, ku kam ngritur shqetësimin lidhur me këto certifikata.

Kam komunikuar edhe me Bajram Hysajn, rektorin e Universitetit, që më zëvendësoi mua. Edhe z. Hysaj i ka ndodhur e njëjta situatë, i është kërkuar të firmosë mbi certifikata. Në dijeninë time, Hysaj nuk ka pranuar të firmosë, dhe ndaj e kanë shkarkuar.

Tre-katër certifikata që kemi ne janë falsifikuar. Mua më është falsifikuar firma, as më kanë kërkuar t’i firmos, po të shikoni dokumentet janë e njëjta dorë që ka firmosur, por unë nuk e bëj dy herë firmën njësoj”, tha Përpali.

Ai tha se Ministria e Arsimit ka bërë verifikimit, por s’jam në dijeni se çfarë kanë konkluduar.

Falsifikimi ka vijuar edhe më tej, pasi Përpali shprehet se në një zyrë noteriale, të noteres Mimoza Sadushaj, është përpiluar një dokument ku thuhet se “unë isha dakord me dokumentin”.

“Ç’punë kisha unë të shkoja në zyrën e noteres? Unë s’kam qenë asnjëherë në zyrën e kësaj notereje, por as e kisha të nevojshme të shkoja, pasi Rektori ka vulën tij, pse duhet të shkojë të konfirmojë një dokument në një zyrë noteriale”, tha Përpali.

Ai tha se dokumentet e marra nga kjo notere janë dërguar në Ministrinë e Jashtme, për të marrë vulën apostile, çka e bën çështjen edhe më të madhe.

“Dyshimet tona për certifikatat false i kemi pasur. Këto tonat janë zbuluar që nga muaji janar. Ambasada italiane pati një rol domethënës në të gjithë procesin pasi kërkonte përmes Ministrisë së Arsimit, të verifikoheshin certifikatatat që kishin vlerën e diplomës”, tha Përpali.

Ai tha se Ambasada italiane ishte shumë e qartë në kërkesat e saj. “Kërkonin të dinin a ishin të sakta certifikatat në degët përkatëse? U kam kthyer përgjigje që diploma ishin false, firma ime ishte falsifikuar”, tha Përpali.

Përpali tha se i takon Prokurorisë për të zbardhur këtë skandal, ndërsa shtoi se  ka bërë padi kundër të dy pronarëve.

“Kemi bërë padi në Prokurori lidhur me këta certifikatat false. Pas kësaj në 1 korrik, kam dhënë deponimin tim në Prokurori dhe më vonë kam bërë edhe një padi tjetër kundër të dy pronarëve”, tha Përpali.

Ai u shpreh se Prokuroria nuk është vënë në lëvizje nga ajo çfarë ka dalë në Itali. Referuar pazareve, ish-Rektori i Wisdom shprehet se ato nuk janë bërë në Shqipëri, por në Itali.

“Unë nuk e di çfarë pazaresh janë bërë, por ato nuk janë bërë në Shqipëri.  Në zyrat e Wisdom nuk kemi parë hyrje-dalje, ndoshta janë bërë në Itali. Kam besim se Prokuroria do të bëjë hetimet dhe do të zbardhë atë që ka ndodhur”, tha Përpali.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.