Skandali në Komisariatin nr. 2: Jep dorëheqje edhe efektivja që arrestoi Altin Morinën
Heshtje totale nga Proda dhe ministria
Publik.al – Thellohet skandali në Komisariatin nr. 2 në Tiranë, duke zbuluar për publikun një goditje të paprecedentë në radhët e strukturave të rendit. Pas transferimit të shefit të krimeve dhe dorëheqjes së shefit të komisariatit, një tjetër lëvizje godet institucionin: ka dhënë dorëheqjen edhe efektivja e patrullës, e cila mori pjesë në arrestimin e Altin Morinës, ish-pjesëtar i RENEA-s dhe i shumëkërkuar nga SPAK.

Burime të sigurta për Publik.al konfirmojnë se arrestimi i Morinës, që për çudi nuk është bërë publik nga vetë Policia e Shtetit, ka shkaktuar një reaksion zinxhir ndëshkimesh të heshtura brenda strukturës. Operacioni u krye nga efektivët e Komisariatit nr. 2, pasi morën informacion për vendndodhjen e Morinës. Ai u ndalua pranë ish-stadiumit Dinamo, ndërsa përpiqej të përdorte statusin e tij të mëparshëm si “njeri i brendshëm” për t’i shpëtuar arrestimit.
Në vend të mirënjohjes për një aksion të suksesshëm dhe të ligjshëm, efektivët janë përballur me pasoja. Sipas burimeve, pas arrestimit, një grup drejtuesish të Policisë së Shtetit, të afërt me të arrestuarin apo me interesa të tjera, kanë ndërmarrë një fushatë ndëshkuese ndaj strukturave të Komisariatit nr. 2: transferime, presione për dorëheqje, dhe zëvendësime të menjëhershme.
Skandali ka kaluar pothuajse në heshtje të plotë. Mediat kombëtare, me përjashtime të rralla, kanë shmangur raportimin e ngjarjes. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, si dhe ministri përkatës, kanë zgjedhur të heshtin. Po ashtu, asnjë reagim nuk është dëgjuar nga përfaqësues të opozitës parlamentare apo jashtë saj.
Arrestimi i një të kërkuari të drejtësisë duhet të ishte moment force dhe profesionalizmi për Policinë e Shtetit. Por kur pasojnë dorëheqje, ndëshkime dhe heshtje institucionale – kemi të bëjmë me një prapaskenë alarmante, që flet më shumë për degradimin e brendshëm sesa për forcën e ligjit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



