Skeda kriminale e “Mbretit” të kokainës Dritan Rexhepi
Autoritetet turke kanë arrestuar në Stamboll, shqiptarin e shumëkërkuar Dritan Rexhepi.
Rexhepi i cili akuzohet për një sërë krimesh në Shqipëri, Itali dhe Amerikën e Jugut duke përfituar nga “arresti i shtëpisë”, masë e komunikuar nga autoritetet ekuadoriane, ishte arratisur duke përfunduar në Turqi.
Kreu i kartelit të drogës, i cili ishte në kërkim me njoftim të kuq dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë, u arrestua pasi mbërriti në aeroportin e Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia.
Dritan Rexhepi është një nga emrat më të lakuar, si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri që nga viti 1998. Që nga ky vit, Rexhepi nuk u ndal dhe vijoi me vrasjet duke u bërë kryefjalë e çdo kronike të zezë në mediat shqiptare, por dhe të huaja. Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998.
Rexhepi u lirua përkohësisht nga autoritetet ekuadoriane në nëntor 2021, ku iu lejua të jetonte jashtë qytetit të Guayaquil me kusht që të raportonte në polici çdo dy javë. Ai ishte gjithashtu i detyruar të mbante një pajisje gjurmuese, të përmbahej nga kryerja e krimeve dhe të qëndronte në Ekuador deri në qershor të vitit 2027.
Ai është shumë i njohur për arratisjet e tij pasi në vitin 2006 është arratisur nga një rajon policie në Shqipëri, teksa në vitin 2011 ka arritur të arratiset nga burgjet e Belgjikës dhe Italisë. Të tre vendet kanë urdhër për ekstradimin e tij, bashkë me Spanjën e cila e akuzon për një seri grabitjesh në banka në vitin 2011.
Pasi të kryente dënimin në Ekuador, Rexhepi do të ekstradohej fillimisht në Shqipëri. Në vitin 2014, ai u dënua me 13 vjet burg për trafik kokaine në Ekuador. Ai fillimisht u mbajt në një burg në Guayaquil dhe më pas u transferua në burgun Latacunga, përpara se të përfundonte në Litoral. Rexhepi kishte arritur të korruptonte punonjësit e burgut dhe mbante një celular parmes të cilit kontrollonte gjithë veprimtarinë e tij kriminale. Prokurorët italianë pretendojnë se ndërsa Rexhepi ishte i burgosur në Ekuador, ai vepronte si kreu i të ashtuquajturës “Kompania Bello”, një kartel që përfshin 14 grupe të mëdha kriminale shqiptare në krye të tregtisë së kokainës në Evropë. Vetëm në vitin 2016 dhe 2017, Rexhepi dhe grupi i tij raportohet se ka trafikuar të paktën 5.9 ton kokainë nga Ekuadori në Europë, teksa vlera e fituar llogaritët të paktën 135 milionë euro.
Ndërkohë që në Shqipëri, Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) akuzohen se në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës me banim në Kamëz. Sipas hetimeve, Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste Rexhepit e Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



