E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita: Teknologjia do të identifikojë shkelësit në rrugë
Lajme

Skënder Hita: Teknologjia do të identifikojë shkelësit në rrugë

Policia kalon në epokën e monitorimit inteligjent

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka paralajmëruar një qasje të re në menaxhimin e sigurisë rrugore, duke theksuar se tashmë kontrolli do të mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia inteligjente.

Gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues për sigurinë në rrugë, Hita u shpreh se Policia e Shtetit po hyn në një fazë të re, ku identifikimi i shkeljeve nuk do të bazohet më vetëm te patrullat në terren, por te sistemet moderne të monitorimit.

Sipas tij, pajisje si radarët automatikë, sistemet “Poliscan” dhe dronët do të mundësojnë evidentimin në kohë reale të shkeljeve, pa ndërprerë qarkullimin dhe pa krijuar pengesa për drejtuesit korrektë. Ai e cilësoi këtë si një hap drejt një policimi më transparent dhe më të saktë.

Kreu i Policisë ngriti shqetësimin për shkeljet që mbeten shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore, duke veçuar shpejtësinë tej normave të lejuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, parakalimet e rrezikshme dhe drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit apo substancave të tjera.

Në fjalën e tij, Hita theksoi se, pavarësisht avancimit teknologjik, ndërgjegjësimi qytetar mbetet faktor kyç në parandalimin e aksidenteve. Ai bëri thirrje për më shumë përgjegjshmëri nga drejtuesit e mjeteve, duke nënvizuar se “shpejtësia vret” dhe se çdo shkelje mund të ketë pasoja fatale.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është edukimi i brezave të rinj. Policia e Shtetit po forcon bashkëpunimin me institucionet arsimore për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të sigurisë rrugore që në moshë të hershme.

Në prag të sezonit turistik, Hita bëri të ditur se janë hartuar plane të detajuara për përballimin e fluksit të shtuar të automjeteve, me fokus të veçantë në akset turistike dhe zonat bregdetare. Synimi kryesor mbetet rritja e parametrave të sigurisë dhe garantimi i një qarkullimi sa më të lehtë për qytetarët dhe vizitorët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.