“Skënderbeu” i ri me atlete
Agron Gjekmarkaj

Dita e enjte mbledh gjithë qelbin e javës kudo nëpër Shqipëri dhe e derdh pa mëshirë, por meritueshëm mbi fytyrën tonë! Ti pret një selfie me sytë e bukur të një dite pranvere për të marrë atë energji që afron natyra me shkëlqimin e saj, por ajo nuk mbërrin kurrë! Vend i një mijë bukurive me njerëz që e urrejnë të bukurën, pat thënë agut të kohës me ofshamë Faik Konica, “mësuesi” i Kryeministrit! Dielli shndrit e pak po nxeh, si në epos, por askush s’e ka mendjen aty tek sheh një Parlament gjysmagjel të rrethuar me policë e përballë tyre mijëra protestues të opozitës, tanimë jashtë tij përfundimisht! Një krizë e pazakontë ka mbërthyer politikën, e cila ditë pas dite po shndërrohet në sinozit kronik brenda kokave të qytetarëve. Edi Ramës nuk ka kush t’i flasë!
Në PS dhe në “Rilindje” nuk paska bir a bijë nëne t’i thotë atij “ndalu more, se ke luajtur nga fiqiri!” Ministrat, deputetët, dinjitarët, veteranët kanë fshehur ballin mes veshëve të ngritur e vetullave të harkuara nga ankthi e nuk bëzajnë! Shoqëria është thyer në mes! Askush nuk po i flet shoferit, makina e të cilit po rrëshqet në humnerë e për të cilën na thuhet, plasni sytë se kjo është parajsa! Reagimet, protestat zënë njëra-tjetrën! Një vit pa u ndalur, artistët vigjilojnë për të ruajtur teatrin, i cili do të shembej për të ndërtuar klientët e qeverisë nja shtatë kulla të larta qamet! Prej katër a pesë muajsh, banorët e Unazës së Re janë në barrikadë për të mbrojtur shtëpitë e tyre!
Fytyra e qeverisjes aty tejkaloi edhe fantazinë. Një prej skandaleve më të mëdha u zbulua, duke shënuar një rekord botëror babëzie, 20 milionë euro për një kilometër rrugë! Dy muaj e gjysmë mbushën rrugët dhe “pushtuan” fakultetet, studentët, të cilëve iu tund në fytyrë i ashtuquajturi “Pakt për Universitetin”, një dallmaç ky propagande që e ka tejkaluar edhe vetë projeksionin e “Rilindjes” në të gënjyer pa turp, me shpejtësi dhe kurajë! Prej një muaji, opozita ka djegur mandatet e deputetëve të saj dhe kësisoj gjysma e popullit nuk është më i përfaqësuar!
Dy demonstrata të mëdha kanë zënë faqet dhe ekranet e mediave kryesore të botës! Shteti mbi ta ka hedhur gaz lotsjellës dhe kjo lëndë kimike është karakteristika e mandatit të dytë të Edi Ramës! Në Lushnjë, dje, mijëra fermerë derdhën qumështin, me të cilin jetojnë, se nuk dinë ku ta çojnë, pasi represioni fiskal ndaj tyre është mbytës! Presidenti i Republikës nga Pogradeci bëri një deklaratë tronditëse dhe të pazakontë me disa lexime! Në skajet e asaj që tha, shquhen dy gjëra që bëjnë më tepër përshtypje! Mundësia e dorëheqjes dhe krahasimi me Salvador Allende, Presidentin që u vetëvra në pallatin Moneda të Santiagos, teksa Pinoçeti po kryente grushtin e shtetit, duke nënkuptuar se po vendoset një juntë, e cila qeveris me policë! Sa do jetë gëzuar Edi Rama nga krahasimi, por edhe mërzitur gazep nga mesazhi i koduar që ka marrë.
Ajo çka tha Ilir Meta u mor nga mbi 180 agjenci botërore bashkë me pikëpyetjet përkatëse mbi mungesën e normalitetit demokratik! Protestuesit e kësaj dite bojatisën me të kuqe, “gjaku i dëshmorëve” siç thuhej rëndom gjatë regjimit të kaluar, deputetët e “opozitës së re”, të cilët, në fakt, Edi Rama po i bojatis me të zezën e turpit! Ky grup që duartrokitet çdo ditë nga maxhoranca është treguesi, që nuk le mëdyshje, i korrupsionit etik, e jo vetëm, të ulur këmbëkryq mes nesh! Çfarë mjerimi “opozita e re”! Boja në xhaketat e tyre dëshmon sa e përfaqësojnë ata opozitën e vërtetë.
Një dosje me përgjime i ka treguar botës sa e goditur në legjitimitet është kjo qeveri! Prokuroria, tanimë mashë në duart e Kryeministrit, bën presion mbi kryetarin e opozitës, Lulzim Basha! Gjykata Kushtetuese nuk ekziston më. Mbi të tjerat ka rënë po ashtu damllaja! E vetmja industri që sot punon në vend është Policia, e cila administron jetën e përditshme nga njëra protestë në tjetrën të një populli që ikën nga sytë këmbët! Zgjedhjet lokale rrezikojnë të mos bëhen! Kjo është panorama e një vendi, për të cilin Kryeministri kërkon t’i hapë muze rakie e vere për ta dehur ende më! Të dehurit duhet të duartrokasin “normalitetin” e një vendi që po çmendet sepse një burrë është lidhur pas karriges së Kryeministrit, të cilën e merr me vete edhe kur fshihet. Ipeshkvi Vinçenso Paglia, kreu i Shën Exhidios së Romës, një personazh i veshur me mister i njohur për misionet e tij të vështira kudo që ka kriza, erdhi në Tiranë! Takoi Metën, Bashën, Berishën dhe Erion Veliajn! Kohë më parë, mbi 23 vjet, pat nxitur marrëveshjen Milosheviç-Rugova për arsimin, largimin e Rugovës nga Prishtina gjatë luftës, marrëveshjen Nano-Berisha etj.! Ndoshta, Vatikani, i cili Skënderbeun e parë e kishte shumë për zemër dhe e thërriste “atlet i Krishtit”, po përpiqet në këtë moment që edhe Skënderbeun e ri me atlete ta sjellë në fe nëpërmjet “ekzorcistit” që zgjidh krizat!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



