Sokol Bizhga pezullon nga detyra ish-bashkëpunëtorin e afërt të Ilir Prodës
Drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, ka firmosur urdhrin e tij të parë, duke pezulluar nga detyra Ulian Shpatarakun, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Sipas argumentit zyrtar, masa e pezullimit është marrë për shkak të “mosparaqitjes në mënyrë të rregullt në detyrë”.
Ulian Shpataraku ushtronte funksionin e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit. Ai konsiderohej si një nga njerëzit më të besuar të Prodës, pjesë e kabinetit të tij drejtues, dhe gjatë karrierës kishte përfituar disa grada për “merita të veçanta”.
Në shkurt të vitit të kaluar, Proda e transferoi Shpatarakun nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan drejt Tiranës. Më herët, ai ishte lëvizur nga posti i zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit vetëm dy muaj pas emërimit në atë detyrë.
Pezullimi i tij shënon vendimin e parë të rëndësishëm administrativ të Bizhgës në krye të Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



