Solidaritet për aktorin e madh Naun Shundi
Familja hap “GoFundMe” për të mbledhur ndihma
Gjendja e rëndë shëndetësore e aktorit dhe regjisorit të njohur Naun Shundi ka prekur zemrat e mijëra shqiptarëve. Prej javësh, ai ndodhet në një spital në Francë, ku po i nënshtrohet një trajtimi të specializuar, por kostot e larta të kurimit janë të papërballueshme për familjen. Për këtë arsye, ata kanë hapur një llogari në GoFundMe, duke kërkuar ndihmën e publikut për të mbështetur luftën e tij për jetën.
Apeli i familjes
Vajza e artistit, Rea Shundi, në një postim prekës në rrjete sociale, ka shprehur zhgënjimin ndaj Teatrit Kombëtar, i cili sipas saj nuk ka reaguar për gjendjen e babait të saj, ndonëse ai i ka kushtuar mbi 46 vite jetës artistike të këtij institucioni.
“Babi im po përballet me të keqen më të madhe, luftën mes jetës dhe vdekjes. Në konceptin tonë, kur e keqja të vjen në derë edhe armiku bëhet më i ndjeshëm. Kjo nuk ndodhi me institucionin ku babi im i dha frymë dhe jetë shumë personazheve. As dy rreshta tekst. Sa trishtim!” – ka shkruar ajo.
Nevoja për mbështetje publike
Ndërkohë që institucionet heshtin, solidariteti i qytetarëve dhe komunitetit artistik është shpresa e vetme për të mbështetur një figurë të madhe të artit shqiptar. Familjarët kanë deklaruar se shpenzimet e larta për trajtimin jashtë vendit janë të papërballueshme dhe çdo ndihmë është jetike.
Thirrje për solidaritet
Publik.al i bashkohet thirrjes për të mbështetur këtë kauzë humane. Kontributi i çdo qytetari, sado i vogël, mund të bëjë diferencën në këtë moment të vështirë. Naun Shundi është një prej ikonave të skenës shqiptare, një artist që i dha jetë qindra roleve dhe që sot meriton kujdesin dhe dashurinë e gjithë publikut që e ka duartrokitur për dekada.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



