Sot dita e 46-të e protestës, qytetarët zbresin sërish në shesh
Protesta e radhës e qytetarëve shqiptarë zhvillohet sot në kryeqytet, duke shënuar ditën e 46-të të mobilizimit kundër qeverisë. Tubimi pritet të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet kryesore.
Ky aksion qytetar, i cili e ka zanafillën në reagimet ndaj zhvillimeve në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje të gjerë me kërkesë të drejtpërdrejtë për largimin e kryeministrit Edi Rama. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit vijojnë të artikulojnë thirrje për ndryshim politik dhe institucional.
Në protestë marrin pjesë grupe të ndryshme shoqërore, duke përfshirë të rinj, studentë, profesionistë, aktivistë, por edhe qytetarë të moshave të ndryshme dhe vizitorë të huaj, çka e ka kthyer këtë lëvizje në një reagim gjithëpërfshirës.
Gjatë marshimeve të fundit, janë dëgjuar thirrje të forta kundër qeverisë dhe figurave politike, duke reflektuar pakënaqësinë në rritje të protestuesve. Sloganet kanë qenë të fokusuar te kërkesa për dorëheqje, ndryshim sistemi dhe fundin e asaj që ata e cilësojnë si kapje të institucioneve.
Kërkesat kryesore të protestuesve
Protesta artikulon pesë kërkesa themelore që konsiderohen si kusht për zgjidhjen e krizës politike:
- Dorëheqja e menjëhershme dhe pa negociata e kryeministrit dhe e gjithë kabinetit qeveritar.
- Formimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat të kufizuar 12-mujor për menaxhimin e procesit zgjedhor dhe rikthimin e besimit publik.
- Ndryshime të thella kushtetuese për garantimin e barazisë para ligjit dhe miratimi i tyre përmes referendumit popullor. Këto përfshijnë reformimin e Kodit Zgjedhor, rregullat për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit në maksimumi dy gjatë gjithë karrierës politike.
- Shfuqizimi i një sërë nismash ligjore të kundërshtuara, përfshirë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin për investimet strategjike.
- Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes një procesi të hapur konsultimi me ekspertë, intelektualë dhe përfaqësues të pavarur nga politika.
Protesta e 46-të shihet si një tjetër test i rëndësishëm për vijimësinë e kësaj lëvizjeje qytetare dhe për presionin që ajo synon të ushtrojë mbi institucionet qeveritare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



