Sot ‘Dita e të dashuruarve’, historia dhe kuptimi i Shën Valentinit
Më 14 shkurt, në shumë vende të botës shënohet Dita e të Dashuruarve, një festë që lidhet me figurën e Shën Valentini, i njohur në traditën e krishterë si mbrojtësi i të fejuarve dhe i çifteve.
Sipas historisë dhe traditës kishtare, Shën Valentini jetoi në shekujt III–IV dhe shërbeu si ipeshkëv në qytetin e Terni, në Itali. Ai njihej për përkushtimin e tij ndaj besimit, jetën e thjeshtë dhe përhapjen e mesazhit të dashurisë, paqes dhe solidaritetit mes njerëzve.
Legjendat e hershme tregojnë se Valentini u arrestua gjatë sundimit të perandorit romak Aureliani dhe u dënua për shkak të besimit të tij të krishterë. Ekzekutimi i tij mendohet të ketë ndodhur më 14 shkurt të vitit 273 në Romë. Besohet se reliket e shenjtorit ruhen ende në Terni, ku ai nderohet si figurë e shenjtë.
Me kalimin e shekujve, 14 shkurti mori një kuptim më të gjerë kulturor dhe shoqëror, duke u kthyer në simbol të dashurisë dhe përkushtimit mes njerëzve. Festa sot kujton jo vetëm historinë e shenjtorit, por edhe idenë se dashuria e vërtetë lidhet me besnikëri, sakrificë dhe përkujdesje të ndërsjellë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



