Sot protesta e 10-të, mijëra qytetarë në shesh për largimin e Ramës
Protestat qytetare në Tiranë vijojnë të intensifikohen, ndërsa sot pritet të mbahet tubimi i dhjetë radhazi, me kërkesën kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pas një pjesëmarrjeje gjithnjë në rritje ditët e fundit, mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, u mblodhën dje fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Bulevardi kryesor i kryeqytetit u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje të forta kundër qeverisë dhe klasës politike në përgjithësi.
Mesazhet më të dëgjuara gjatë protestës ishin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, kundërshtim ndaj patronazhistëve dhe apel për unitet qytetar.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar se protesta e radhës do të zhvillohet sot në orën 18:00. Tubimi do të nisë sërish nga Sheshi Skënderbej, për të vijuar me marshim drejt godinës së Kryeministrisë.
Peticioni “Rama Out” merr përmasa masive online
Pakënaqësia ndaj qeverisë po shtrihet edhe në hapësirën digjitale. Peticioni online me sloganin “Rama Out” ka arritur të mbledhë rreth 1.5 milionë firma, duke u kthyer në një nga nismat më të mëdha qytetare në internet në Shqipëri.
Fushata po përhapet me ritme të shpejta në rrjetet sociale, ndërsa organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë pasivë dhe të bëhen pjesë e kërkesës për ndryshim.
Ndërkohë që protestat në terren vazhdojnë, mbështetja online po rritet paralelisht, duke e kthyer këtë lëvizje në një reagim të gjerë qytetar, si në rrugë ashtu edhe në rrjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



