Sot protesta e 15 në Tiranë kundër epokës Rama-Berisha
Kjo e dielë shënon vijimin e valës së protestave me thirrjen për tubimin e 15-të kundër kryeministrit Edi Rama, një lëvizje që po merr përmasa gjithnjë e më të gjera në të gjithë vendin.
Prej dy javësh, Tirana është kthyer në epiqendrën e reagimit qytetar, ndërsa protesta të ngjashme janë zhvilluar paralelisht edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Qytetarë të të gjitha moshave kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes, duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm.
Tubimi i së shtunës u konsiderua ndër më të mëdhenjtë deri më tani, me një pjesëmarrje që tejkaloi pritshmëritë. Të rinj, familje dhe të moshuar u bashkuan në një zë të vetëm, duke artikuluar pakënaqësitë për situatën ekonomike, sociale dhe politike në vend.
Mesazhi kryesor i protestuesve mbetet i qartë: dorëheqja e kryeministrit. Në të njëjtën kohë, nuk kanë munguar kritikat edhe ndaj opozitës, duke reflektuar një zhgënjim më të gjerë ndaj klasës politike në tërësi.
Protesta e radhës pritet të nisë në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt Kryeministrisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimi do të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



