E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot protesta e Lapajt, Rama i vë ‘kyçin’ Kryeministrisë
Lajme

Sot protesta e Lapajt, Rama i vë ‘kyçin’ Kryeministrisë

Blindimi i godinës së Kryeministrisë është shndërruar tashmë në një praktikë të zakonshme sa herë që në Tiranë paralajmërohen protesta kombëtare. Hyrjet kryesore nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbulohen me panele metalike, një masë shtesë sigurie përtej pranisë së shtuar të forcave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të angazhuara në mbrojtjen e selisë së qeverisë.

Rreth një ditë përpara protestës kombëtare të thirrur nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, nën mbikëqyrjen e Gardës është vendosur edhe këtë herë blindimi i godinës së Kryeministrisë. Masa zakonisht aplikohet në rastet kur autoritetet kanë sinjale për tensione apo përplasje të mundshme, veçanërisht kur pritet pjesëmarrje e konsiderueshme.

Një skenar i ngjashëm u pa edhe gjatë protestës së fundit të organizuar nga Partia Demokratike më 24 janar, ku situata u përshkallëzua me hedhje molotovësh dhe fishekzjarresh, ndërsa policia reagoi me përdorimin e gazit lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Nga ana e tij, Lapaj ka bërë thirrje që protesta e së shtunës të jetë pa simbole partie dhe të marrë formën e një tubimi qytetar. Megjithatë, në muajt e fundit nuk kanë munguar incidentet mes aktivistëve të “Shqipëria Bëhet” dhe forcave të rendit, veçanërisht në rastet kur policia ka ndërhyrë për të larguar çadrat e improvizuara, karriget apo ngrohëset e vendosura gjatë natës nga protestuesit përballë Kryeministrisë.

Ende nuk dihet nëse gjatë protestës së planifikuar për të shtunën, e cila pritet të nisë në orën 18:00, autoritetet do të zbatojnë të njëjtat masa sigurie si në protestën e një jave më parë. Ajo që është e sigurt deri tani, është se godina qendrore e qeverisë është tashmë e blinduar, në pritje të zhvillimeve të radhës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.