Spak arreston ish-ministrin Lefter Koka
Arrestohet ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka
Kujotjmë që Lefter Koka u zgjodh deputet i qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, por hoqi dorë nga mandati. Koka ka shërbyer si ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama” përgjatë viteve 2013-2017. Ai është vënë nën hetim nga SPAK pas kallëzimit të bërë nga LSI për aferën e inceneratorëve.
Në kallëzimin e LSI theksohet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
“Ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Nga një sipërfaqe 6 hektarë pa pagesë në Portëz, ka kaluar në një sipërfaqe 11.3 hektarë, sipërfaqe kjo që duhej të shpronësohej, duke i sjellë dëm ekonomik shtetit shqiptar në vlerën 46 milionë lekë të reja. Vepra penale: ‘Shpërdorim Detyre i ish-Ministrit Lefter Koka dhe Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi
Tre ditë pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese të shërbimit. Pa verifikuar më parë kriteret e kualifikimit dhe pa marrë miratimin nga Ministria e Financave. Vepra Penale: ‘Shpërdorim Detyre’ dhe ‘Shkelje e Barazisë së Pjesëmarrësve në Tendera’.
Nga 20 muaj që parashikohej të ndërtohej impianti(Propozimi i Fituesit), me marrëveshje të firmosur nga Alqi Bllako, është zgjatur afati deri në 31 Mars 2021. Pra, me shumë se 5 vjet, duke bërë që të rrëzohej pretendimi i ngritur nga palët për situatën e emergjencës mjedisore”, thuhet në padinë e LSI.

Lefter Koka e ka mbrojtur projektin e inceneratorëve si një domosdoshmëri, pasi Durrësi, Tirana, Elbasani dhe Fieri ishin në “emergjencë mjedisore”.
Koka tha se vetëm fusha e mbetjeve kishte kosto deri në 400 mijë euro në vit dhe fusha vlen vetëm për 10 vjet.
“Qeveria ka një ligj për menaxhimin e mbetjeve. Incenerimi është një nga elementët e ligjit. Ishim në një situatë ku qytete si Durrësi, Elbasani, Fieri, Tirana ishin plot me mbetje. Vetëm fusha e mbetjeve kishte kosto deri në 400 mijë euro në vit. Një fushë mbetjesh zgjat deri në 10 vjet. Imagjino çdo 10 vjet një fushë të re për landfillin. Metoda që po ndjek gjithë bota është incerimi. Në 10 vjet janë 600-700 mijë ton mbetje. Dhe shkon në 10 metra lartësi dhe ujërat kontaminonin sipërfaqen”, tha Koka.
Monika Kryemadhi kishte një version tjetër të historisë.
“Për herë të parë me ineceneratorët kam dëgjuar në Mbrostar, ku kam njohur një grua, Lena quhet, gazetare, e cila ishte në krye të protestës kundër inceneratorit të Fierit. Aty zoti Koka u ankua tek ish-kryetari i LSI. Unë i kam thënë “ti e di shumë mirë qëndrimin tim”. Më ka kërkuar që të mos flisja kundër. Thoshte se “inceneratorët janë më mjedisorë se sa landfillet”. Megjithatë që nga ajo kohë unë nuk kam pasur më komunikim me z.Lefter Koka. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje” – tha Kryemadhi ndërsa bënte me dije dosjen, që më pas depozitoi në SPAK.
Afera e inceneratorëve duket se kishte bërë bashkë Kokën me Edi Ramën dhe nuk është çudi që e njëjta, të jetë bërë shkak për t’i ndarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



