SPAK dërgon për gjykim dosjen e zyrtarëve të MSH-së : Morën 3.3 mln lekë në zyrë
SPAK ka zbardhur një skemë korrupsioni në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila përfshin edhe sekretaren e Ministrisë, Joana Duro. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për dërgimin e disa të pandehurve, përfshirë Joana Duro, Laura Shteto, dhe Vladimir Topi.
Sipas SPAK, Joana Duro, si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar mënyrë të paligjshme një shumë prej 330,000 lekësh për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k. Kjo shoqëri fitoi fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës.
SPAK ka dokumentuar se kjo shumë parash është dërguar te Joana Duro nga Laura Shteto, e cila më parë e kishte marrë nga Vladimir Topi, i cili është administrator i shoqërisë “Dricons” sh.p.k. Për të bërë më gjerë hetime, SPAK ka zbuluar se Silvi Shehi, inxhinieri pranë shoqërisë “Dricons,” ka marrë shumën e parave nga Vladimir Topi dhe ia ka dërguar Laura Shteto, që më pas i ka dorëzuar të pandehurës Joana Duro.
Hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe SPAK ka në fokus fakte penale të tjera lidhur me korrupsionin në Ministrinë e Shëndetësisë. Skandali i korrupsionit në këtë institucion ka shkaktuar shqetësim në opinion dhe do të ndiqet me vëmendje gjatë gjykimit në Gjykatën e Posaçme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



