E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK identifikon 7 tendera të ndryshëm që mori ZOTO e Mërtiri
Lajme

SPAK identifikon 7 tendera të ndryshëm që mori ZOTO e Mërtiri

Morën 26 mln euro të tjera nga Rilindja

Dy biznesmenët e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kanë fituar një shumë të konsiderueshme prej të paktën 26 milionë euro nga kontratat me institucione të qeverisura nga Partia Socialiste, në bashkëpunim me disa shoqëri të tjera të lidhura ngushtësisht me ta.

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur se të paktën 8 procedura, me vlerë mbi 1 milionë euro secila, kanë qenë shpallur fituese për kompaninë mëmë të Klodian Zotos, “ITS”, si dhe shoqëritë e lidhura me biznesmenët e plehrave.

Në një periudhë prej 2012 deri në 2013, shoqëritë e drejtuara nga Zoto-Mërtiri kanë fituar kontrata në katër bashki të drejtuara nga Partia Socialiste në Berat, Fier, Pogradec dhe Korçë, për vendosjen e matësave të ujit. Vlera totale e këtyre katër kontratave është 12 milionë euro, me të cilën Ujësjellësi i Fierit ka arkëtuar 3.5 milionë euro, ndërsa ai i Korçës dhe Pogradecit ka arkëtuar po 3 milionë euro, dhe ndërmarrja e ujit të Beratit ka arkëtuar 2.5 milionë euro.

Në vijim, kompania “Integrated Technology Service” e Zotos, në bashkëpunim me dy shoqëri të tjera, fitoi në vitin 2015 një kontratë me vlerë 1 milionë euro me Ministrinë e Mjedisit për pastrimin e grykëderdhjes së Shkumbinit.

Në vitin 2016, kompania e Zotos fitoi një tender nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me vlerë 6.5 milionë euro për blerjen e matësave të rinj.

Në të njëjtën periudhë, një bashkim operatorësh fitoi tenderin me vlerë 6.5 milionë euro për “zhvendosjen e mbetjeve të ngurta nga inceneratori Elbasan”. Fituesi i këtij tenderi përbëhet nga kompania “Ndërtim Montim Patos”, e cila përbën 80 përqind të bashkimit, dhe “Gjikuria”, e cila përbën 20 përqind të bashkimit. Prokuroria e Posaçme ka dyshime të forta se interesat e Klodian Zotos dhe Mërtirit janë përfshirë në këtë procedurë tenderi, në mënyrë të paligjshme, duke u bazuar në komunikime elektronike të identifikuara gjatë hetimit të tyre.

Gjithashtu, kompania “Ndërtim Montim Patos” zotëron 30 përqind të kompanisë koncesionare të landfillit të Fierit, ndërsa “ITS” e Klodian Zotos zotëron 70 përqind të saj. Kjo situate ka ngjallur dyshime të forta dhe është në fokusin e hetimit nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.