SPAK kërkon 1 vit burg për kandidatin e LSI-së !
Si ra në kurth në zgjedhjet e 25 Prillit! Joka: Gjithçka u stis nga Alqi Bllako
Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me një vit burg për kandidatin për deputet të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Etion Joka, i cili u filmua teksa jepte para në këmbim të shtitblerjes së votave.

Po ashtu 1 vit u kërkua edhe për Elis Babo personi që kishte kryer filmimin dhe të cilit i janë dhënë parat nga Joka. Ndërkohë, vetë ish-kandidati për deputet nëpërmjet avokatit të tij deklaroi se gjithçka ka qenë e stisur nga kundërshtarët e tij politikë si Alqi Bllako i arrestuar për inceneratorët. Avokati i Jokës paraqiti prova dhe fakte në lidhje me videon, telefonin që është bëre filmimi dhe se kujt i është dorëzuar ajo, prova sipas tyre lidhen me kundërshtarët e Jokës në zgjedhje. Ndërkohë, i pandehuri tjetër Elis Babo nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se e ka bërë filmimin për të denoncuar korrupsionin në zgjedhje edhe pse ishte në kushte të vështira ekonomike.
MATERIALI HETIMOR
Në median audiovizive, kryesisht në stacionin televiziv “Top news” në datën 23 prill 2021, janë shfaqur disa pamje televizive, në të cilat rezultojnë dy shtetas, nga hetimi rezulton të jenë të pandehurit Elis Babo dhe Etion Joka, ky i fundit kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, si përfaqësues i forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim, i renditur në numrin rendor 22 në listën shumë emërore. Në pamjet filmike rezulton se shtetasi Etion Joka, i premton dhe i jep shuma parash shtetasit Elis Babo, me qëllim që ky i fundit të mund të sigurojë vota në favor të tij.
DEKLARIMET E ELIS BABOS
Në deklarimet e shtetasit Elis Babo, rezulton se ai e ka njohur shtetasin Etion Joka, disa muaj më parë, dhe i ka prezantuar kushëriri i tij shtetasi Edison Babo. Ai ka mësuar se Etioni ishte kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, si përfaqësues i forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim, i renditur në numrin 22 në listën shumë emërore. Më pas midis tyre ka lindur dhe një lloj shoqërie, duke u shpeshtuar takimet, në të cilat flitej dhe për politikë, për mënyrën e zhvillimit të fushatës elektorale. Elisi nuk ka qenë në dijeni të pamjeve filmike të transmetuara, por ka mësuar vetëm në ditën e ngjarjes pasi i ka parë ato në media.
Në njërën nga filmimet ai deklaron se është ai vetë, kushëriri i tij Edisoni, një shtetas tjetër të cilin ai e ka komshi dhe të cilin e njeh me emrin “Lame” apo “Islam”. Sipas tij, video mund të jetë regjistruar në ambientet e “Bar Soho” ose “Bar Trinity” në zonën e Bërrylit, dhe nuk mund të përcaktojë kohën kur janë realizuar pamjet, por kanë qenë në muajin prill 2021. Ai pranon faktin që ka marrë nga Etioni një shumë prej 100 (njëqind) dollarë, por nuk pranon faktin që kjo shumë të jetë dhënë në shkëmbim të premtimit për të votuar Etionin, por për shkak se familja e Elisit ka qenë në gjendje të vështirë ekonomike. Po kështu i pyetur gjatë hetimit në praninë e mbrojtësit të tij, i pandehuri Elis Babo, e ka pranuar dhe faktin dhe fajësinë.
DËSHMIA E EDISON BABOS
Në dëshminë e dëshmitarit Edison Babo, rezulton se e njeh shtetasin Etion Joka pasi banojnë në një lagje, ndërkohë që të pandehurin Elis Babo e ka djalë xhaxhai. Etioni ishte kandidat për deputet kanë biseduar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Etioni i ka kërkuar ndihmë, duke qenë se njiheshin edhe nga fakti që banonin në të njëjtën zonë. Sipas tij, ai është takuar me Etionin dhe Elisin, por ky i fundit ka qenë në atë kohë në vështirësi ekonomike, dhe vazhdimisht i kërkonte shuma parash dhe Edisonit. Sipas tij, në ditën e ngjarjes, i ka telefonuar Elisi dhe i ka thënë që Etioni i kishte falur një shumë prej 100 Dollarë.
Sipas tij bisedat në banesë, i ka hapur Elisi dhe ai i ka ardhur thjesht pas bisedës, por në to nuk ka asgjë të vërtetë. Sipas tij, Elisi i imagjinonte vetë këto gjëra dhe ai thjesht i ka ardhur sipas avazit, në lidhje me bisedën që bënte. Ditën që kanë qenë në banesë, Elisi ka pasur me vete dy telefona, nga të cilat i ka thënë se njërin ja ka dhënë një shok për ta rregulluar. Ai pranon faktin që i pandehuri Etion i ka marrë përsipër të pandehurit Elis Babo, që me ndërmjetësimin e tij ky i fundit të mund të fillonte punë te Qendra Tregtare “Megatek”, ku Etioni kishte lidhje shoqërore me menaxherin. Në lidhje me ditën kur janë shfaqur pamjet filmike, rezulton se ka qenë me Etionin. Në këtë kohë Etioni ka mësuar se kishte dalë një filmim për të, dhe është çuar për tu larguar me shpejtësi. Më pas ka parë pamjet filmike ne internet nëpërmjet celularit të tij, dhe ka parë që në filmime ishte kushëriri i tij Elis Babo dhe Etion Joka.
Është nisur për të shkuar në Shkodër, ku nëpërmjet një taksie ka shkuar në Terminalin e Veriut që ndodhet te Kthesa e Kamzës dhe më pas është nisur drejt Shkodrës. Rrugës i ka telefonuar dy herë Elisit në numrin e këtij të fundit, por telefoni dilte i fikur. Më pas i ka dërguar një SMS në “WhatsApp”. Në Shkodër është takuar fillimisht me motrën e tij, e cila i ka dhënë dhe një aparat telefonik të ri dhe më pas është takuar dhe me nënën e tij.
Rreth orës 15:00 është nisur për në Tiranë dhe pasi ka mbërritur, fillimisht ka shkuar te selia e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Aty i kanë thënë se do të asistohej nga dy avokatë dhe se bashku me ta është paraqitur te Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Në lidhje me pamjet filmike, ai mendon se ato janë të katër ditëve të fundit dhe regjistrimet janë bërë në tre episode, ku njëri është regjistruar në datën 20 prill 2021 ditën e martë, në ambientet e apartamentit ku ai banon me familjen e tij. Në këtë episod sipas tij, është ambienti i sallonit të apartamentit, dhe është regjistruar biseda që ai ka bërë me kushëririn e tij Elis Babo. Në këtë bisedë ata kanë folur për zgjedhjet e datës 25 prill 2021, por nuk bisedohet për shuma parash dhe as për shitblerje vote.
Sipas tij Elisi, ka shkuar në ambientet e banesës së Edisonit në datën 20 Prill 2020, ditën e Martë paradite rreth orës 10:00- 10:30, dhe në kohën që Elisi ka shkuar, Edisoni ka qenë në banesë vetëm me vajzën e tij. Elisi i ka kërkuar Edisonit që ky i fundit t’i thoshte Etionit, që Etioni t’i jepte Elisit disa para borxh rreth 20.000- 30.000 (tridhjetë mijë) lekë. Edisoni i ka thënë që nuk mund t’ia thoshte këtë gjë Etionit, pasi ai edhe për veten e tij nuk mund t’i thoshte. Edisoni pranon se në lidhje me këtë episod, ai thjesht i vinte pas bisedës Elisit dhe nuk donte t’ia zgjaste shumë. Episodi i tretë duhet të jetë regjistruar në datën 22 prill 2021, pasi në të njëjtën datë rreth orës 11:00, Elisi i ka telefonuar dhe i kishte thënë që kishte takuar Etionin dhe ky i fundit i kishte dhënë 100 dollarë.
Sipas dëshmisë së Edisonit, Elisi i ka thënë Edisonit se këtë shumë parash Etioni ia kishte dhënë Elisit për ta ndihmuar për të blerë ushqime për familjen e tij, por Edisoni i ka thënë që ishte një veprim i turpshëm. Sipas Edisonit, në datën 20 prill 2021 kur Elisi ka qenë në banesën e tij ka pasur me vete dy telefona, ndërkohë që kur Elisi është shoqëruar nga Policia Ggjyqësore në datën 23 prill 2021 ai ka pasur me vete vetëm një telefon dhe në këto rrethana ai ka bindjen se regjistrimet janë bërë nga vetë Elisi. Ai vetë as i ka kërkuar ndonjë shumë parash Etionit dhe ky i fundit as i ka premtuar. Në lidhje me bisedën në banesë, ai nuk i ka thënë Elisit që mos t’i bënte ato dhe që kanë qenë biseda të gabuara, pasi nuk donte të fliste rreth kësaj dhe përpiqej ta shmangte, ndërsa me Etionin nuk ka bërë ndonjëherë biseda për shuma parash.
DËSHMITARI SKËNDER KEQI
Në dëshminë e dëshmitarit Skënder Keqi, rezulton se ai njihet me të pandehurin Elis Babo. Ky i fundit e ka prezantuar me të pandehurin Etion. Me ta nuk ka bërë ndonjëherë biseda për shuma parash, por thjesht biseda të lira për fushatën elektorale. Etioni i ka kërkuar nëse mund të votonte për të. Më pas ai është ndarë me ta. Pasi është nisur për tu larguar, i ka telefonuar Elisi dhe e ka pyetur nëse ishte larg. Ai nuk mban mend që i pandehuri Elis t’i ketë thënë ndonjëherë Skënderit, që Etioni i ka dhënë shuma parash. Sipas tij, në takimin me Etionin thjesht është diskutuar për politikë, Etioni i ka kërkuar votën, por ai nuk i ka premtuar vota Etionit.
Në lidhje me pyetjen se përse ishte i shqetësuar që të kapeshin lekë, dhe përse i ka thënë Elisit “po nëse nuk e ke kap si t’ia bëjmë” ai deklaron se nuk ka dijeni për filmimet e bëra dhe për videot e transmetuara. Në lidhje me emrin tregtar “Keqi Group” rezulton se është një biznes në fushën e tregtimit të tekstileve, çarçafëve dhe e ka hapur vajza e tij Xheni Keqi. Sipas tij, ajo kishte lidhje me një shtetas italian me emrin Pietro Zaniboni. Pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që u zhvilluan në muajin prill 2021, vajza ka filluar punë pranë Bashkisë Tiranë, me detyrën e shefes së Personelit. Epror i drejtpërdrejtë i vajzës së tij Xheni është shtetasi Redi Molla. Po kështu, vajza e tij ka qenë pjesë e stafit elektoral të deputetes Ogerta Manastirliu.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



