SPAK lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për Mirel Mërtirin
Ai konsiderohej si truri i inceneratorëve, lidhje e afërt e Stela Gugalles dhe bashkëpunëtor i Klodian Zotos në aferat qindra miliona euroshe të impianteve të përpunimit të mbetjeve.

I futur në listën e të akuzuarve që prej dhjetorit të 2021, i kërkuar për tu vënë në pranga që në mars 2022, i shpallur në kërkim në nëntor 2022, por i pa kërkuar ndërkombëtarisht, me sa duket, asnjëherë deri ditën e djeshme! Dje, më në fund, SPAK-u ka bërë me dije se ka deleguar për në Policinë e Shtetit një urdhër-kërkim ndërkombëtar për Mirel Mërtirin, biznesmeni i njohur, i cili sipas të dhënave të mëhershme është nën dy akuza: atë të korrupsionit aktiv dhe të pastrimit të parave.
Prej më se dy vite hetimesh, bëhet me dije se në fakt ndaj Mërtirit dhe bashkëpunëtores së tij, Stela Gugallja, nuk ka ekzistuar një urdhër ndërkombëtar arresti. Kjo u vërtetua edhe tri ditë më parë, kur SPAK shpërndau informacione fillimisht mbi arrestimin e saj në Vjenë të Austrisë. Por, ngaqë urdhri i arrestit nuk kishte dalë ende nga zyrat e SPAK-ut, Gugallja u paraqit vetë në Gjykatën e Vjenës dhe më pas SPAK-u përgënjeshtroi veten, duke bërë me dije se kishte lokalizuar vendndodhjen e saj, vendndodhje që në fakt e kishin komunikuar autoritetet e drejtësisë austriake.
Bashkë me Mërtirin dhe Gugallen në të njëjtat pozita është edhe Klodian Zoto, që sipas SPAK-ut është vënë nën akuzë dhe shpall në kërkim që në mesin e dhjetorit 2021, kohë kur në pranga u vu ishministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ky i fundit, vijon të jetë në qeli që prej asaj kohe, madje nën dy masa sigurimi personal dhe i përfshirë në dy dosje, atë të inceneratorit të Fierit dhe më vonë edhe të dosjes për Elbasanin.
URDHËR-ARRESTI
Dje, u bë me dije se biznesmeni Mirel Mërtiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK-u. Mërtiri është vënë nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash në aferën e inceneratorëve që u hodhën në letër në vendin tonë. Prokuroria e Posaçme, sipas të dhënave, e akuzoi zyrtarisht biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit më 15 nëntor të vitit që lamë pas.
Në njoftim saktësohet se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të “Korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, thuhej asokohe në aktakuzën e SPAK-ut. Ndërkohë, në kërkim më herët u shpallën Stela Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto. Gugallja u paraqit në gjykatën austriake, ndërsa u saktësua se Prokuroria e Posaçme u njoftua se në Gjykatën e Vjenës, në Austri, është duke u kryer procedura e ekstradimit të shtetases Stela Gugallja, nga Austria në Shqipëri, në zbatim të urdhrit të kërkimit ndërkombëtar për këtë shtetase.
Mirëpo në lidhje me këtë fakt, Policia e Shtetit, mohoi të kishte ndonjë arrestim, apo ndalim të Gugalles, përveç faktit se ajo aktualisht qëndron në Vjenë! Mirëpo nga ana e autoriteteve tona bëhet me dije se për këtë qëllim, Prokuroria e Posaçme ka përcjellë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e ekstradimit të Gugalles, ndërkohë që në fakt për Mërtirin nuk kishte deri dje asnjë urdhër-arrest ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



