E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK reagon për tentativën e vjedhjes së dosjeve: Objekt i sulmit ishte Altin Dumani
Lajme

SPAK reagon për tentativën e vjedhjes së dosjeve: Objekt i sulmit ishte Altin Dumani

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbetet i pacënuar.

Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.

Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses.

Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet.

Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se  sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit.

Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.

SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së  institucionit.

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.