Landi Çela
Nga një institucion i krijuar për të goditur pandëshkueshmërinë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia, SPAK sot duket më shumë si një zyrë selektive që zgjedh me kujdes jo vetëm kohën, por edhe objektivat e hetimeve të saj. Operacionet spektakolare, të paraprira nga njoftime mediatike dhe të shoqëruara nga duartrokitjet e pushtetit, nuk mund të fshijnë mungesën e kurajos për të prekur thelbin e krimit më të madh që po shkatërron themelet e demokracisë shqiptare: krimin elektoral.
Nëse SPAK do të kishte vërtetë vullnet për të hetuar ndërhyrjen e bandave në zgjedhje, nuk do i duhej të priste një verë të nxehtë apo një sezon politik më të qetë. Emri i Xhevdet Troplinit nuk është përmendur sot për herë të parë. Ai është bërë simbol i lidhjes midis grupeve kriminale dhe fushatave elektorale, përmendur me emër nga lideri i opozitës gjatë gjithë fushatës në Durrës. Dhe pikërisht aty, në atë qytet ku u denoncua qartazi prania dhe ndikimi i bandave, SPAK heshti.
Por le të largohemi nga Durrësi dhe të shkojmë në Elbasan. Kujtojmë Suel Çelën, një figurë e përfolur në çdo palë zgjedhje për lidhje të drejtpërdrejta me blerjen e votave. Çfarë bëri SPAK? Asgjë. As një hetim. As një deklaratë. As një përpjekje për të dhënë një përgjigje publike përse kandidatët më të përfolur për lidhje me krimin dolën më të votuarit në zonat ku krimi sundon.
Në vend që të godiste këtë fenomen në themel për të pastruar politikën nga ndikimi i mafies SPAK zgjodhi rrugën më të lehtë: të arrestojë një kryebashkiak me një dosje që mbështetet mbi përgjimet e SKY ECC dhe jo mbi një hetim pro-aktiv. Madje, në dosjen që i referohet Troplinit, thuhet qartë se ai nuk ka një kod PIN të SKY ECC, ndaj edhe nuk ka prova materiale ndaj tij. A mund të quhet kjo drejtësi e vërtetë? Apo është thjesht një shfaqje për të treguar se “po bëhet diçka”?
Pyetja është më e thellë: përse SPAK nuk vepron kur është fjala për krimin elektoral? Përse nuk hetohen zonat si Dibra, Elbasani, apo Tirana ku të gjithë e dinë që krimi dhe administrata janë bërë një për të kontrolluar rezultatin zgjedhor?
Sepse ndryshe nga sa na thuhet, pikërisht krimi elektoral është themeli i pushtetit aktual. Dhe goditja e tij do të thotë të prekësh në palcë strukturën që garanton mazhorancën e sotme në pushtet. SPAK nuk duket i gatshëm për këtë betejë. Nuk e ka as vullnetin, as guximin, as pavarësinë.
SPAK nuk u krijua për të ndjekur vetëm bandat që merren me trafikun e drogës. U krijua për të ndjekur edhe krimin që ndikon tek vota, që blen dhe shantazhon qytetarët, që i transformon zgjedhjet në një farsë. Dhe nëse ky institucion e shmang këtë betejë, atëherë duhet ta pranojmë një të vërtetë të hidhur: SPAK nuk po godet krimin, por po menaxhon imazhin e luftës kundër tij.
Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Është vetëm një armë në duart e pushtetit. Dhe një tjetër dëshmi se pandëshkueshmëria nuk është thyer, thjesht ka ndryshuar strategji.