E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Strasburgu rrëzon vetingun: Të hapur për gjykimin e çështjeve të ngjashme
Publik News

Strasburgu rrëzon vetingun: Të hapur për gjykimin e çështjeve të ngjashme

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të konventës sa i përket “të drejtës së një gjykate të krijuar me ligj” në çështjen e ish-prokurorit Besnik Cani kundër Shqipërisë, për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Luan Dacit në Kolegjin e Apelimit. Gjykata e lë të hapur mundësinë për rigjykimin e çështjeve të ngjashme.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 6.1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut sa i përket “të drejtës së një gjykate të krijuar me ligj” në vetingun e ish-prokurorit Besnik Cani kundër Shqipërisë, sipas vendimit të publikuar të martën.

Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, zgjedhja e Luan Dacit nga Kuvendi i Shqipërisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishte bërë pa kryer verifikimet e duhura prej autoriteteve dhe se Daci nuk duhej të kualifikohej për të qenë anëtar i KPA. Prania e tij në trupën që gjykoi rastin e Canit përbën sipas gjykatës shkelje të konventës.

“Pranon unanimisht që ka pasur shkelje të artikullit 6.1 të konventës, sa i përket të drejtës së ankuesit për një “gjykatë të krijuar me ligj”, thuhet në vendim.

Gjykata rrëzoi kërkesat e tjera të Canit, përfshi atë për t’u rikthyer në detyrë dhe kërkimin për një dëmshpërblim financiar me rrogën mujore dhe e gjeti të papranueshëm pjesën tjetër të ankimit të tij. Gjykata thotë se nuk mund të shprehet për procesin e rivlerësimit të Canit, pasi ky mund të ribëhet nga një gjykatë e rregullt.

Vendimi nuk jep një zgjidhje përfundimtare për rastin dhe për procesin e rivlerësimit dhe e lë atë në dorë të qeverisë shqiptare dhe vetë Canit, ndërsa sugjeron si zgjidhje rihapjen e dosjes së rivlerësimit të ish-prokurorit dhe gjykimin e saj nga një trupë  që përmbush kriteret e nenit 6.1 të konventës. Gjykata po ashtu sugjeron edhe zgjidhje përmes negocimit për të mos cënuar ata që konsiderohet “gjë e gjykuar”.

“Gjykata merr parasysh qëndrimin e qeverisë se mund të ketë një rrugë ligjore për kërkuesin për të kërkuar rihapjen e procedurave. Prandaj, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë dhe në masën që kjo mund të jetë e mundur sipas ligjit të brendshëm, forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së kërkuesit për një “gjykatë të krijuar me ligj” sipas nenit 6.1 të konventës do të ishte rihapja e procesit, nëse ankuesi e kërkon këtë rihapje, dhe rishqyrtimi i çështjes në një mënyrë që është në përputhje me të gjitha kërkesat e nenit 6 .1 të Konventës,” thuhet në vendim.

Ish-prokurori Besnik Cani u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 27 shkurt 2020, ndërsa ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Trupa e KPA e përbërë nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo, e shkarkoi Canin me arsyetimin se ai kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia, kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm pasurie dhe ishte i papërshtatshëm profesionalisht.

Cani, i cili ndërkohë kishte bërë ankime dhe kallëzim penal ndaj anëtarëve të trupës Luan Daci e Ardian Hajdari, e ankoi vendimin në Gjykatën e Strasburgut. Gjatë periudhës së pritjes, hetimet e SPAK zbuluan se Daci kishte falsifikuar dokumentet dhe deklarimet e tij që i mundësuan zgjedhjen si anëtar u Kolegjit. Ai u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe më pas u shkarkua nga Kolegji.

Gjykata e Strasburgut vë në dukje se përtej pretendimeve të qeverisë në kundërshtim të Apelit të Canit, Kuvendi i Shqipërisë dhe grupi ad-hoc i deputetëve që duhej të kryenin verifikimin e kandidatëve për në KPA, kishin dështuar në punën e tyre. Gjykata thotë se verifikimi duhej të ishte një proces i lehtë, sa kohë arsyet skualifikuese ishin në rekordet publike dhe Dacit i ishte mohuar në vitin 2016 një vend në Gjykatën e Tiranës për shkak të shkeljeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.