E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Studimi: Si po cënohet funksionimi i shtetit të së drejtës
Publik News

Studimi: Si po cënohet funksionimi i shtetit të së drejtës

Mungesa e nxjerrjes së akteve nënligjore të një ligji e bën ligjin në fjalë të pazbatueshëm.”

Kështu thuhet në një studim të ISP mbi monitorimin e impaktit të mungesës së akteve nënligjore në Shqipëri.

Ndërsa theksohet se mungesa e nxjerrjes së akteve nënligjore në Shqipëri, cënon funksionimin e shtetit të së drejtës, në fund të monitorimit janë bërë disa gjetje dhe rekomandime.

Një prej gjetjeve është se “mungesa e nxjerrjes në kohë të akteve nënligjore dhe në disa raste të mos-nxjerrjes së tyre për një kohë të gjatë, është dukuri jo e veçuar, por rregull sjelljeje për institucionet dërmuese më të larta të shtetit shqiptar”.

Shkruan ISP: Për pasojë mungesa e aktit nënligjor cënon rëndë parimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Mungesa e nxjerrjes në kohë të akteve nënligjore dhe në disa raste të mos-nxjerrjes së tyre për një kohë të gjatë, është dukuri jo e veçuar, por rregull sjelljeje për institucionet dërmuese më të larta të shtetit shqiptar.

Akti nënligjor, që duhet të nxirret në bazë dhe për zbatim të një ligji të miratuar nga Kuvendi, është pjesë e legjislacionit dhe për pasojë është dhe mbetet përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë. Akti nënligjor nxirret nëpërmjet delegimit, në shumicën e rasteve nga pushteti ekzekutiv, por kjo nuk do të thotë se Kuvendi nuk mban asnjë përgjegjësi për nxjerrjen e tij ose miratimin e vonuar të tyre.

Kjo është një prej gjetjeve dhe rekomandimeve të policy paper të Institutit të Studimeve Politike (ISP) përgatzitur nga eksperti Viktor Gumi, lidhur me “Impaktin e mungesës së akteve nënligjore: përvoja dhe perspektiva në Shqipëri”, nismë e ISP e mbështetur nga Programi për Demokracinë, Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë.

DETAJE MBI STUDIMIN: Ky material paraqet problematikat kryesore të raporteve midis akteve nënligjore dhe kuadrit ligjor dhe institucional në vend, si dhe gjetjet kryesore në ecurinë e deritanishme të monitorimit të standardeve të jetësimit të tyre.

Në raportet periodike të monitorimit dhe të progresit një prej çështjeve kritike është niveli i zbatueshmërisë së ligjeve, ku nxjerrja e akteve nënligjore dhe implementimi i tyre zë vend kryesor.

Sipas Kushtetutës ligjet në Shqipëri miratohen nga Kuvendi, ndërsa Këshilli i Ministrave ka të drejtën e miratimit të një shumice të konsiderueshme të vendimeve dhe të akteve normative në zbatim të ligjeve. Një prej funksioneve thelbësore të parlamentit është edhe kontrolli kushtetues i zbatimit të ligjeve dhe i qeverisjes ekzekutive. Përmbushja e kësaj përgjegjësie lidhet jo vetëm me bazën ligjore, por edhe me rrethanat në të cilat e zhvillon aktivitetin parlamenti, niveli i legjitimitetit dhe funksionalitetit të tij, si dhe raportet e kompozimet e mazhorancave qeverisëse në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.

Në praktikat tona parlamentare dhe ekzekutive ka pasur raste, raportime dhe sensibilitet nga grupe interesi, shoqëria civile, institucionet ose media, për problematika të ndryshme që lidhen me mungesën e akteve nënligjore, për vonesa në nxjerrjen e tyre, për elementë të akteve nënligjore që krijojnë kundërshti apo shqetësime në zbatimin integral të ligjit, për rishpërndaje përgjegjësie në jetësimin e tyre dhe për kostot financiare, sociale dhe institucionale në zbatimin e tyre praktik.

Ndryshimet vitet e fundit me reformën në drejtësi, reformën administrative, reformën sociale dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm në ofrimin e garancive dhe shërbimeve ndaj qytetarëve, kërkojnë vazhdimisht përputhshmëri midis akteve nënligjore, përgjegjësive dhe kompetencave të reja që delegojnë reformat. Kjo problematikë është e theksuar sidomos në raportet e vazhdueshme në ndryshim midis kompetencave të qeverisjes qendrore dhe vendore, në sektorët kryesorë të përgjegjësive, siç janë siguria publike, lufta ndaj kriminalitetit, shërbimet sociale, arsimi, shëndetësia, politikat publike, etj.

96373811_550229762570811_1515030961836785664_n.png

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.