SULMI NDAJ PD/ Basha: Është fillimi i betejës mes të shkuarës dhe të ardhmes. Nga këto rrënoja do ngrihet shpresa e shqiptarëve për t’i dhënë fund politikës së vjetër
Basha u shpreh se nga rrënojat e PD-së do të ngrihet shpresa e shqiptarëve të cilët duan t’i japin fund politikës së vjetër dhe tranzicionit, për të ndërtuar të ardhmen e tyre evropiane.
Sipas tij ky është fillimi i një beteje mes të shkuarës dhe të ardhmes.
“Sali Berisha dhe Edi Rama janë lidhur në një binom, njëri i shpallur “non grata” dhe tjetri me të gjitha rekordet për tu shpallur non grata. Objektivi im është që nga këto rrënoja që eksitohet Sali Berisha edhe Edi Rama të ringremë një Parti Demokratike ashtu siç e kanë dashur qytetarët shqiptarë që prej 91-shit, ashtu siç e duan prindërit demokratë, por edhe socialistë, që i ka ardhur në majë të hundës me vjedhjet e kësaj qeveria, ashtu siç e do shumica e shqiptarëve.
Një parti që ti jap fund tranzicionit shqiptar. Duhet tu them fare qartë që vendosmëria ime është e palëkundër, që të ndërtojmë edhe nga fillimi aty ku është e nevojshme, të rindërtojmë aty ku bajraktarët kanë shkatërruar shpresën dhe i trajtojnë njerëzit dhe partitë politike si plaçkë që e shkatërrojnë kur nuk i duhet ose kur nuk e kanë dot. Çdo gjë të zezë e kemi prej dinosaurve të politikës të cilëve po u vjen fundi një nga një, teksa marrin protagonizëm televiziv dhe kënaqen me dhunën, detyra ime e parë dhe e çdo demokrati është të bëjmë të kundërtën, të formulojmë dhe të japim zgjidhjet për t’i dhënë fund tranzicionit të gjatë në Shqipëri.
Kjo që shikoni këtu nuk është një betejë mes një grupi huliganësh që Sali Berisha i solli këtu për të sulmuar PD-në, është fillimi i një beteje midis të shkuarës dhe të ardhmes. E vetmja gjë që i duhet shqiptarëve të jetojnë mirë në vendin e tyre është një qeverisje normale nga njerëz që politikën e shohin si shërbim. Ka shumë të tillë në Partinë Demokratike dhe në shoqërinë shqiptare. Nuk ka moment më të thellë të kontrastit për ta thënë këtë këtu në rrënojat. Nuk ka vend më të mirë për ta thënë këtu vendosmërinë time për të vijuar përpara.
Kësaj i tremben të tre brinjët e trekëndëshit të Bermudës. Qëllimi im është të ndërtojmë në këto gërmadha që kjo shpresë të rritet dhe të bëhet aq e madhe sa shumica e heshtur e shqiptarëve që dënojnë dhunën dhe politikanët e vjetër. Kjo nuk është një betejë e lehtë. Ajo që mund të duket dobësia jonë si mungesa e një televizioni që mbështet Partinë Demokratike, apo një oligarku që mbështet Partinë Demokratike, apo një trafikanti që mbështet Partinë Demokratike, kjo në fakt është forca jonë. Bashkë me shqiptarët që duan ndryshimin do të jemi më të fortë dhe do të vijojmë rrugën për largimin e kastës 30-vjeçare”, tha Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



