Veliaj harxhon 2 miliardë nga taksat tona për të rregulluar lagjen e tij
Tirana brenda territorit të saj si qytet ka një mijë e një probleme me infrastrukturën, pa përmendur këtu rrethinat. Në vend që të rregullohen këto, Veliaj duket se është më i interesuar të “rregullojë” me 2 miliardë lekë lagjen luksoze ku jeton vetë.

Bëhet fjalë për Kodrën e Diellit, një lagje e Tiranës që njihet për luksin e saj dhe të banorëve që jetojnë aty. Megjithatë Veliaj do që ta “rregullojë” akoma më mirë dhe për këtë do të shpenzojë gati 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH nga paratë e qytetarëve të Tiranës.

Tenderi ka numër reference REF-53480-12-14-2022 dhe me objekt “Rikualifikimi urban i zonës “Kodra e Diellit” – Faza II”. Fondi limit i kësaj procedure është 210,848,994 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Nëse i hedhim një sy dokumentacionit të tenderit shikojmë që ka vend për dyshime edhe për mënyrën e shpalljes së fituesit. Kështu shikohet se njëri nga pjesëmarrësit ka ofruar vlerë zero duke ngritur dyshimet se ka marrë pjesë vetëm sa për numër që të duket sikur ka patur konkurrencë.

Nga ana tjetër fitues i tenderit është shpallur Skënder Kacdedja me kompaninë e tij KACDEDJA për vlerën 160,618,242 lekë të reja pa TVSH ose gati 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por shikohet se një tjetër konkurrent ka ofruar gati 90 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak se fituesi, e megjithatë nuk është marrë në konsideratë.
Natyrisht në një vend si Shqipëria, 90 milionë lekë diferencë nuk janë pak. Nuk dihet ndërkohë nëse SPAK do të “hedhë ndonjë sy” nga ky tender, por gjasat janë që jo.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



