“Të çmendur, idiotë”, qytetari debaton ashpër me Ramën në telefon
Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale ka nxjerrë në pah një përplasje të fortë verbale mes kryeministrit Edi Rama dhe një banori nga Tragjas, lidhur me projektin për kanalizimet dhe furnizimin me ujë në zonë.
Sipas pamjeve të publikuara, kryeministri ka telefonuar qytetarin për të diskutuar mbi situatën në fshat, ku prej kohësh banorët kanë kundërshtuar projektin e ri të ujësjellësit. Biseda nisi me një pyetje nga banori për funksionin e kanalizimeve që parashikon projekti i ri.
Qytetari pretendoi se tubacionet janë ndërtuar rreth 15 vite më parë dhe vuri në dyshim nevojën për ndërhyrje të reja. Ai pyeti drejtpërdrejt kryeministrin se për çfarë do të shërbejnë kanalizimet e reja nëse infrastruktura ekzistuese tashmë është realizuar.
Nga ana e tij, Rama e kundërshtoi kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se në zonë nuk është bërë asnjë investim i tillë dhe se informacionet e përhapura nga disa banorë janë të pasakta.
Debati mes tyre u tensionua shpejt. Kryeministri e akuzoi bashkëbiseduesin se po përhap “budallallëqe”, ndërsa përdori edhe tone të ashpra duke thënë se disa nga reagimet që kishte dëgjuar ditët e fundit ishin të shkëputura nga realiteti.
Ndërkohë, qytetari reagoi me të njëjtin ton, duke e akuzuar Ramën se po fyente banorët e Tragjasit dhe duke i thënë: “Më idiot nga ty nuk ka, që të vdesësh një fshat e të thuash fshati idiot”.
Pas kësaj, kryeministri sqaroi se nuk i kishte quajtur “idiotë” banorët e fshatit si komunitet, por se deklarata e tij i drejtohej vetëm personit me të cilin po debatonte në telefon.
Konflikti lidhet me projektin për marrjen e ujit nga burimi i Izvori, i cili synon furnizimin me ujë të zonave turistike të Dhërmiu, Palasa dhe Jalë.
Banorët e Tragjasit, së bashku me ata të Radhimë dhe Orikum, kanë organizuar disa protesta gjatë muajve të fundit, duke shprehur frikën se ndërhyrja mund të rrezikojë furnizimin me ujë të pijshëm për komunitetin lokal.
Në protestën më të fundit janë raportuar edhe përplasje mes banorëve dhe policisë, pasi punonjësit e kompanisë zbatuese kishin mbërritur për të nisur punimet në terren.
Biseda:
Edi Rama: Më fal, më fal.
Qytetari: Po, më fal.
Edi Rama: Po të dëgjoj, fol me urdhër. Çfarë do të thuash?
Qytetari: Kanalizimet, kanalizimet që ju do të bëni në Tragjas, për çfarë funksioni do na interesojnë?
Edi Rama: Për çfarë funksioni? Po si, do të vazhdosh t’i lësh në rrugë? Nuk të duhen kanalet? Nuk do t’i fusësh në kanal, do vazhdosh t’i hedhësh në bahçe? Si do t’ia bësh?
Qytetari: Po ato janë bërë. Çfarë do bësh, prapë nga e para?
Edi Rama: Po kush i ka bërë? Cilat?
Qytetari: Kanalizimet.
Edi Rama: Ku i ke kanalizimet? Je në vete apo jo? Jeni në vete ju? Çfarë njerëzish jeni?
Qytetari: Zoti kryeministër, ato që po thua janë bërë. Do t’i qepësh nga e para, do t’i bësh?
Edi Rama: More zotëri, atje nuk është bërë asgjë. Më dëgjo çfarë po të them: nuk është bërë asgjë.
Qytetari: Asgjë? 15 vjet janë bërë tubacionet, zoti kryeministër.
Edi Rama: Çfarë të të fal kur flet budallallëqe? Si të të fal?
Qytetari: Më lër të flas njëherë, pastaj të dëgjoj ty.
Edi Rama: S’kam kohë të humb me ty të dëgjoj budallallëqe. E di sa budallallëqe kam dëgjuar këto ditë? Jam ngopur, e kupton? Ju jeni të shkëputur komplet. Si jeni kaq të shkëputur, kaq idiotë?
Qytetari: Zoti kryeministër, më idiot nga ty nuk ka, që të vdesësh një fshat e të thuash fshati idiot. Je kryeministër.
Edi Rama: Nuk i thashë idiot fshatit të Tragjasit. Po flas me ty dhe e thashë edhe për veten time që jam gjysmë i shkëputur. Mos më bërtit. Boll, e mbaruam bisedën. Të falënderoj për nivelin. Nuk kam më kohë për ty.
Qytetari: Unë nuk të fyeva…
Edi Rama: Të mora për respekt, por ti nuk meriton respektin tim. U solle shumë keq. Nuk vazhdoj dot bisedën.
Qytetari: Mirë, vazhdo ashtu, kryeministër, se Tragjasin në këmbë e ke.
Edi Rama: Këto “këmbët” mos m’i trego mua. Mos bërtit. Me mua mos bërtit. Nuk më ndalon njeri të bëj detyrën time, as ti dhe asnjë tjetër.
Qytetari: Zoti kryeministër… të lutem…
Edi Rama: Jo. E humbe mundësinë të flasësh me mua.
Qytetari: Tragjasin nuk e ka shuar dot gjermani dhe nuk e shuan dot ti, zoti kryeministër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



