Sot është zhvilluar dëgjesa e dytë për Teatrin Kombëtar.
Ndryshe nga dëgjesa e parë me artistët, sot Veliaj kishte mbledhur përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, të cilët njëzëri u shprehën se godina ishte jashtë funksionit dhe si e tillë duhej rrafshuar.
Fillimisht fjalën e mori drejtori i Instutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, i cili tha se godina ishte jofunksionale dhe e tillë duhej prishur.
“Ne si institut kërkimi, i kemi thënë edhe drejtorit të Tëatrit që duhet të pezullojë aktivitetin.Nuk arrijmë dot ta riparojmë e ta mbajmë në të gjendje, në këtë aspekt grupi del në përfundimin se objekti është i papranueshëm”, tha kreu i Institutit të Ndërtimit për Teatrin.
Pas kësaj, drejtori i Zjarrfikëses, Goxhaj, tha se godina nuk kishte asnjë masë të mrojtjes kundër zjarrit dhe një zjarr i rënë mund të rrezikonte seriozisht jetën e spektaktorëve dhe aktorëve.
“Korridoret për largimin në rast zjarri janë të ngushta mezi mund të kalohet. Sinjalistika mungon krejtësisht dhe nuk ka asnjë orientim për daljen e hyrjen në godinë. Për sa i përket masave të mbrojtjes nga zjarri, kjo godinë nuk ka asnjë të tillë. Punohet vetëm më fikëse zjarri dore, që në rast se ka ndonjë zjarr masiv ato dalin jashtë loje dhe rrezikohet jeta. Kjo godinë është jashtë funksionit megjithatë jemi përqendruar që kjo godinë të funksionojë për momentin. Për mendimin tonë në kushtet ku ndodhet godina nuk mund të vazhdojë më pasi nuk ka asnjë masë të mbrojtjes nga zjarri.”

Të njëjtin mendim shprehën edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, e cila tha se “ky objekt nuk mbart vlera për t’u shpallur institucion i shkallës së dytë. Nuk mbart vlera si monument kulture.”
Më pas folën inxhinierë elektrikë dhe mekanikë të cilët i mëshuan idesë se Teatri Kombëtar duhej rrafshuar dhe aty duhej ndërtuar një i ri.
“Do të thotë të çash mure, të shtrosh tela e kabllo. Me mijëra kilometra. Është një punë shumë voluminoze. Ai që merr përsipër të ndërhyjë duhet të mbajë përgjegjësinë profesionale për këtë dhe nuk ka të bëjë fare me ndjenjat dhe sentimentet. Ndërhyrja është e pamundur të bëhet në godinën aktuale pasi duhet ndërhyë në mbi 90% të saj.” – tha inxhinierja elektrike.
“Fjala rikonkstruksion nuk duhet përmendur fare, nuk ka vend për rikonstruksion. Jam shumë i ndjeshëm për sistemet e Teatrit Kombëtar, sidomos projekteve të mbrojtjes nga zjarri.” – tha një inxhinier mekanik i pranishëm në dëgjesë.
Të gjithë të pranishmit në dëgjesën e dytë u shprehën unanimisht për prishjen e Teatrit Kombëtar, ndryshe nga dëgjesa e parë, ku shumica e artistëve e kundërshtuan prishjen e Teatrit Kombëtar dhe dhurimin e tokës publike, kompanisë që do e ndërtojë teatrin me koncesion. /Hashtag.al




