Tenderi 1.5 milionë euro për ushqimet, PD akuzon Ramën dhe Xhaçkën: Tregoni përse ia dhatë një kompanie kompjuterike
Partia Demokratike me anë të ish deputetit Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama dhe Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka se nuk po bëjnë transparencë me tenderin 1.5 milionë euro për ushqimet.
Alibeaj thotë se ky tender iu dha një kompanie kompjuterike nga Maqedonia e Veriut, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para marrjes së tenderit.
Ai thotë se nga ky tender po përfitojnë vetë Rama dhe Xhaçka, ndërsa shton se ministrja vazhdon të sulmojë me tone të ashpra opozitën për të fshehur të vërtetën e tenderit.
Alibeaj ka kërkuar nga SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm që të fillojnë menjëherë hetimet për këtë tender.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
Të dashur qytetarë,
Kemi 3 ditë që i kërkojmë qeverisë të bëjë transparencë për tenderin 1,5 milionë euro të ushqimeve, të bukës suaj.
- Pse ky tender iu dha një kompanie kompjuterash në Maqedoni?
- Kush fshihet pas saj?
Për 3 ditë Edi Rama dhe Olta Xhaçka heshtën. Asnjë fjalë, asnjë përgjigje.
Sot, pas 3 ditësh, në vend të transparencës, Xhaçka sulmoi me gjuhë urrejtje opozitën. Ju të gjithë e dini thënien “mbrojtja më e mirë është sulmi.
Por sulmi me shpifje vetëm zbulon sa nervozë janë Rama dhe Xhaçka.
Zbulon se po fshehin të vërtetën e skandalit me 1,5 milion euro të shqiptarëve, për ushqimet e njerëzve në nevojë, që i janë dhënë një kompanie kompjuterash pa asnjë lidhje, në Maqedoni.
Rama dhe Xhaçka e kanë për detyrë t’u përgjigjen pronarëve të 1,5 milonë eurove, që jane taksapaguesit shqiptarë:
1. Pse, mes 35 000 kompanive shqiptare që merren me furnizimin e ushqimeve, zgjodhi për t’i dhënë 1,5 milionë euro, kompanisë së kompjuterave nga Maqedonia?
2. Pse ia dha tenderin një kompanie maqedonase, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para tenderit?
3. Kush fshihet pas kësaj afere? Kush po përfiton në kurriz të njerëzve në nevojë?
Asnjë sulm me gjuhë urrejtje dhe asnjë shpifje kundër opozitës që po mbron interesat e shqiptarëve, nuk mbulon apo justifikon abuzimet me paratë e shqiptarëve në këtë kohë lufte.
Vjedhja dhe abuzimi me paratë dhe bukën e shqiptarëve duhet të marrin ndëshkimin e merituar. SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet ta lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështje.
Me heret reagoi ministrja Xhaçka :
“Procedura e përshpejtuar është bërë për të përballuar gjendjen e fatkeqesise. Me date 24 mars u be efektiv VKM nr 236 dhe u ngrit mekanizmi per asistencen sociale ndaj shtresave ne nevoje. Po me 24 mars, u miratua VKM per vendosjen e shpalljes se gjendjes se fatkeqesise
Ne keto kushte Ministria e Mbrojtjes pas 24 orësh, hapi sipas ligjit proceduren e blerjes te ketyre mallrave”, sqaroin ministrja.
“Këta që i bren meraku i madh për popullin i ftoj të heqin pizhamet, të ngrihen nga divanët, të lënë telekomandat, telefonët e fejsbukun e të vijnë të na ndihmonjë në terren, atje ku nevoja është e madhe. I pajisim ne me maska e doreza, se për shkak të asaj punës urgjente brenda 24 orëve, jo me zvarritje javësh e muajsh, por brenda 24 orëve, si në shumë pak vende, ushtarakëve dhe vullnetarëve tanë nuk u munguan asnjë ditë masat mbrojtëse. Përfytyroni të kishte munguar qoftë edhe një ditë ushqimi për nevojtarët apo masat mbrojtëse për funksionarët e shtetit ç’thagma do kishin nxjerrë nga goja “Babalet” e opozitës”, tha Xhaçka.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



