Testi i shpejtë në 40 minuta, kur do të aplikohet
Gjatë komunikimit të djeshëm, shefja e shërbimit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, tha se futja e këtyre testeve do t’i japë një shtysë testimit dhe gjurmimit të rasteve, duke lehtësuar punën e mjekëve epidemiologë. Por, nga ana tjetër, duhet thënë po ashtu që këto teste janë specifike, çfarë do të thotë se nëse testi rezulton pozitiv, nuk ka nevojë për konfirmim, por nëse përgjigjja është negative dhe jemi para një rasti që ka simptoma, atëherë do të kryhet tamponi për të konfirmuar nëse personi është i prekur apo jo nga COVID-19.
“U aprovua udhëzimi sot në komitet, një masë që do të përmirësojë testimin dhe gjurmimin. Futja e testeve të shpejta ul kohën e pritjes së qytetarëve, sepse ato maksimumi kryhen në 40 minuta, mund të bëhen pranë qendrave shëndetësore, spitaleve rajonale, jashtë laboratorëve të përcaktuar, përpos zbatimit të standardeve që do të përcaktohen në udhëzim.
Testet e shpejta janë 100% specifike, që tregon që nëse testi del pozitiv, nuk ka nevojë për konfirmim, por ka ndjeshmëri më të ulët, pra shpeshherë mund të kemi fals negativ. Në udhëzim është përshkruar qartë që nëse kemi një test negativ, por që ka shenja klinike, ai duhet të konfirmohet përmes pcr-së (tamponi), apo nëse është asimptomatik, por ka lidhje me kontakte të konfirmuara pozitiv, sërish duhet të konfirmohet përmes pcr-së, por lehtësojnë punën në terren në drejtim të diagnozës, gjurmimit dhe depistimit”, tha doktoresha.
Testimi, që nënkupton marrjen e përgjigjes në kohë nxit edhe karantinimin e të infektuarve në kohën e duhur. “Këto janë masa të përgjithshme, tepër të rëndësishme, por izolimi dhe karantina janë përgjegjshmëri vetjake. Shpeshherë qytetarët e shkelin izolimin apo karantinën, gjë e cila rrit transmetueshmërinë. Prandaj, ju bëj thirrje qytetarëve kur janë të infektuar të mos dalin në kafe”, deklaroi Bino.
Lidhur me vonesat në marrjen e përgjigjes së tamponit, një shqetësim i hershëm ky, Bino tha se do të synohet që përgjigjja të jepet brenda 72 orëve. “Çdo person, i cili dyshohet për COVID-19, duhet të izolohet që në fillim, pavarësisht testimit apo jo të tij. Vonesat lidhen me prioritizimin dhe kapacitetet, të cilat janë rritur aktualisht. Ne synojmë që të kemi përgjigje brenda 72 orëve dhe ky duhet të jetë standardi jonë sot e tutje. Futja e tre laboratorëve në sistemin publik është një arritje që sjell jo vetëm rritjen e numrit të testimeve, duke arritur që minimumi 1% e popullatës të testohet në muaj, shifër që në këto 2 javë jo vetëm që e kemi kapur, por edhe tejkaluar dhe është tepër e rëndësishme marrja në kohë e përgjigjes”.
Nga ana tjetër, janë hequr edhe ritestimet. Çka do të thotë se qytetarët që kanë rezultuar pozitivë, pas dy javësh do të konsiderohen të shëruar dhe me zero rrezik për të infektuar të tjerët. “Heqja e ritestimeve është bazuar mbi baza shkencore, pasi është vënë re që personat, të cilët edhe pse rezultojnë pozitivë nuk e transmetojnë sëmundjen. Pra, përfundimi i izolimit, i cili bazohej në ritestim, bazohej në faktin që personat mund të ishin infektues. Nga studimet që janë kryer, është vënë re që këta persona nuk janë më infektues, zakonisht që nga dita e 14 mendohet se ata nuk janë më. Për grupe të caktuara të popullatës si ato me dëmtime të imunitetit apo të tjerë, ritestimi do të vendoset në bazë të një udhëzimi”, vuri në dukje doktoresha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



