Thumanë: 10 sera me kanabis mbrapa shtëpisë
Arrestohet babai, në kërkim i biri
Policia e Durrësit ka ushtruar kontroll për mbjellje bimësh narkotike në territorin e Thumanës në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadrin e një operacioni të koduar si “Thumana”.
Gjatë operacionit u arrestuan dy persona dhe u shpall në kërkim i biri i njërit prej tyre, konkretisht Klisman Lika, 32 vjeç nga fshati Gjorm i Kurbinit që u gjet duke punuar në sera dhe Qemal Ferhati, 68 vjeç nga fshati Shkozë-Bardhë.
I biri i këtij të fundit, Ardit Ferhati, 36 vjeç, banues në të njëjtin fshat, nuk u gjet në shtëpi dhe u shpall në kërkim.
Policia ishte duke kontrolluar fshatin Shkozë-Bardhë të njësisë administrative Thumanë, kur në truallin pas banesës së 69-vjeçarit Ferhati zbuloi 10 sera ku ishin kultivuara 925 fidanë kanabisi.
Nga ana tjetër, në shtëpi atij iu gjet një qese plastmasi me fara kanabisi; po ashtu, u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Grupi hetimor i asgjësoi duke i djegur fidanët narkotikë. Një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës, së bashku me farat dhe një armë gjahu.
Dosja do të shqyrtohet nga Prokuroria e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



