Sipas urdhërit të qeverisë, prej mesditës së djeshme (e shtunë) në orën 13:00 e deri të hënë në orën 05:00 të mëngjesit, asnjë qytetar nuk do të qarkullojë nëpër qytete. Kjo masë është për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si një nga pikat parandaluese për mospërhapjen e Covid-19, që deri tani ka marrë 18 jetë njerëzish në vend.
Newsbomb.al sjell disa pamje nga Tirana, në të cilat shihen rrugët e boshatisura, forcat e rendit dhe tek-tuk ndonjë person i pajisur me leje për lëvizje edhe këtë ditë. Të gjitha dyqanet kanë ulur qepenat, ndërsa vetëm automjetet e policisë janë ato që të shoqërojnë këtë ditë.
Tirana dhe gjithë Shqipëria është në një ‘luftë’ të detyruar, me banorët që do qëndrojnë nëpër banesa prej masave parandaluese. Deri në këto momente, në Shqipëri janë 333 raste me Covid-19, nga të cilët 99 të shëruar dhe fatkeqësisht 18 persona kanë humbur jetën.








