Tirana mbytet në plehra
Situatë alarmante në rrugën “Demir Progni”, asnjë masë nga bashkia
Në këto ditë të nxehta gushti, kur temperaturat kanë kaluar 40 gradë, malet me plehra kanë mbuluar rrugët e Tiranës, duke krijuar një pamje të zymtë dhe një problem serioz për banorët. Situata më e rënduar është evidentuar në rrugën “Demir Progni,” ku kazanet e mbeturinave janë tejmbushur dhe mbeturinat kanë pushtuar edhe trotuarët.
Foto e mëposhtme
tregon qartë kaosin e krijuar nga mbetjet që kanë mbetur për më shumë se një javë pa u pastruar nga kompania përgjegjëse. Banorët e zonës ankohen për erën e rëndë që ka bërë të pamundur jetesën normale, ndërsa grumbullimi i plehrave është kthyer në një vatër infeksionesh të rrezikshme.
Pavarësisht se qytetarët e Tiranës paguajnë miliona euro për menaxhimin e mbeturinave dhe incenerimin e tyre, shërbimi që marrin është larg asaj që meritojnë. Kjo situatë i rikthen në qendër të vëmendjes aferat korruptive të inceneratorëve, ku një sërë zyrtarësh, përfshirë edhe nga Bashkia Tiranë, ndodhen tashmë pas hekurave.
Ndërkohë që kryebashkiaku Erion Veliaj del dhe flet për një Tiranë të pastër, realiteti është krejt ndryshe: rrugët e kryeqytetit janë mbuluar nga plehrat, duke treguar dështimin e politikave të tij dhe situatën e rënduar me të cilën përballen banorët e qytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



