Leku forcohet ndaj Euros, duke shënuar një nivel minimal historik

Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë tregon një forcim të vazhdueshëm të lekut ndaj Euros gjatë kësaj jave. Euro u këmbye me 104.05 lekë, duke arritur një nivel minimal historik. Kjo rënie e kursit Euro-Lek ka karakteristikat e zhvlerësimit sezonal që vjen në verë, si rezultat i rritjes së prurjeve valutore nga turizmi.

Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kursi Euro-Lek ka pësuar një rënie prej 11.5%, ndërsa nga fillimi i vitit ka rënë me 8.9%.

Agjentët e këmbimit parashikojnë që kursi i këmbimit të Euros të vijojë të bjerë të paktën deri në dhjetëditëshin e parë të muajit gusht, duke iu bazuar në të dhënat e viteve të mëparshme. Pas kësaj periudhe, pritet një stabilizim me prirje të lehta rritëse.

Megjithatë, për shkak të pritshmërive të larta nga turizmi këtë vit, agjentët nuk përjashtojnë mundësinë që rënia sezonal e kursit të Euros të zgjasë më gjatë. Në fakt, mes agjentëve të tregut po forcohet pritshmëria se kursi Euro-Lek gjatë verës mund të afrohet kufirit të 100 lekëve.

Në krahasim, gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek pësoi një rënie prej rreth një pike. Megjithatë, tendenca e këtij viti sugjeron një rënie disi më të lartë.

Forcimi i lekut ndaj Euros këtë vit, së bashku me zhvillimet në tregjet e huaja valutore, ndikon në mbivlerësimin e monedhës vendase në krahasim me valutat kryesore të tjera.

Dollari Amerikan u këmbye me 94.41 lekë, nivel më i ulët që prej dhjetorit të vitit 2009, ndërsa Paundi Britanik vazhdon të qëndrojë pranë niveleve më të ulëta të regjistruara ndonjëherë ndaj lekut, me një kurs prej 122.02 lekësh.

Forcimi i lekut në kursin e këmbimit sjell çmime më të ulëta të blerjes së mallrave dhe shërbimeve jashtë vendit. Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo situatë ka ndikuar në zbutjen e presioneve inflacioniste nga jashtë.

Vala e forcimit të lekut pritet të ndikojë edhe në ecurinë e inflacionit pas vjeshtës, duke u bazuar në kohëvonesat e përcjelljes së efekteve të kursit të këmbimit, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë.

Forcimi i lekut ka avantazhe edhe për huamarrësit në valutë të huaj me të ardhura në monedhën vendase, duke zbutur efektet e rritjes së normave të interesit në kreditë e marrura.

Në të kundërt, forcimi i lekut po dëmton sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve, duke u penguar të ardhurat dhe fitimet e tyre.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Publikuar nga Publik Media