‘Shqiponja e zezë’, ‘çarter pushtetarësh’ në Aruba dhe nata

Nga Basir Çollaku

Një avion çarter, me një dorë qeveritarë shumë të rëndësishëm ka fluturur pak vite më parë drejt Arubas, ku janë takuar me Artur Shehun. Aruba është një ishull në veri të Venezuelës,  i cilësuar si parajsa e Karaibeve, pjesë e Antileve holandeze, nën protektoriatin e kësaj mbretërie, që nga viti 1642, ndonëse më herët ka qenë koloni e spanjollëve dhe anglezëve.

Episodi ka dalë nga dosja “Black Eagle” në Bruksel. Por nuk ka vetëm kaq. Sky Encro e kësaj dosjeje, ka një kujtesë shpërthyese me të dhëna, duke sjellë bisedat, marrëveshjet e aktivitetet e paligjshme të bandës dhe ortakëve politikë në shumë vende, ku kryeson Shqipëria. “Shqiponja e Zezë”, është megadosje, ku një proces gjyqsor po zhvillohet në Belgjikë, me të dhëna të rëndësishme për emra shqiptarësh në pushtet, trafikantë ndërkombëtarë dhe politikanë, investime të shumta e pastrim parash.

Të dhënat hetimore, tashmë fashikuj seancash kanë informacione të rënda për drejtësinë. Janë afro 40 të pandehur kolumbianë dhe shqiptarë, për trafik kokaine, pastrim parash, investime në ndërtime e turizëm. Një prej avokatëve të të pandehurve, Nathalie Gallant deklaronte mediatikisht me 8 prill, kur nisi shqyrtimi gjyqësor, se janë së paku 3 miliardë euro investime në Tiranë e në dosje përmenden emra politikanësh shqiptarë.

Ndërsa prokurorja federale Julie Coduys është shprehur gjatë paraqitjes së aktakuzës në seancë, se ajo çfarë ka dalë deri më tani është maja e ajsbergut e dosjes dhe trafikut. Po në këto përgjime ka dalë edhe ora me vlerë 400 mijë euro dhuratë, për superqeveritarin shqiptar, që në publikime është përmendur si ministër. Vlonjati tashmë banues në Florida, Artur Shehu, si dhe Bashkim Osmani nga Kosova, akuzohen si krerë të kësaj organizate të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Takimet me ekipin e pushtetarëve shqiptarë janë zhvilluar në këtë ishull, duke ndarë histori biznesi, me paratë e pamunguara nga bota e trafikut. Njerëzit në këtë kuvend ortakërie me krimin, kanë qenë persona me peshë në vendimmarrje për premtimet e përcaktuara në atë pikëpjeje, jo thjesht turistike. Ajo çfarë dihet nga investigimet ligjore të kryera është fakti se ky takim është filmuar nga autoritetet që ndiqnin pjesëtarët e takimit, në shënjestër të proceseve hetimore për trafik droge e pastrim parash. Afërmendsh drejtësia jonë, Prokuroria e Posaçme në shkëmbimet e shumta për ndihmë juridike, patjetër ka marrë dijeni për ngjarjen, e cila ka pasuar me zhvillime investimesh në Shqipëri, Tiranë dhe bregdet, sipas dakortësisë në Aruba.

Burimet nuk saktësojnë në fazën e tanishme datat dhe emrat të mbetur të fshehtë për publikun, por jo për prokurorët e agjentët në terren. Shehu ka mundur të bëjë investime në Vlorë dhe jo vetëm, ku një hotel me “themele në det”, e kompanisë së zotëruar prej tij “Adhenis ”, nuk duhet të jetë mundësuar pa bekimin e hollësishëm të Këshillit lejedhënës, Këshilli Kombëtar të Territorit, drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

 Një rastësi e çuditshme në Holandë

Në mesnatën e 25-26 korrikut të vitit 2017, një incident i izoluar dhe jo fort sipërfaqësor mediatikisht përfshiu kryeministrin Edi Rama në Holandë, në një udhëtim të konsideruar jo zyrtar. Mediat kanë shkruar për shoqërimin e Edi Ramës në mjedise policore në aeroportin e Amsterdamit, pas ardhjes me çarter nga Tirana, një kontroll të detajuar për disa verifikime, pas kqyrjes standarde të pasaportës. Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar foto nga ky zhvillim në aeroport aso kohe.

Publikuar nga Publik Media