Tjetërsimi i pronave në Durrës, Gjykata merr vendimin për të dyshuarit
Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurisë për personat e përfshirë në hetimin për tjetërsimin e paligjshëm të pronave në zonën bregdetare të qytetit.
Në seancën e zhvilluar, gjyqtari vendosi vijimin e masës “Arrest në shtëpi” për Shaqir Sheshin, Arianit Matajn dhe Besnik Xhafën, të cilët dyshohen për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
Ndërkohë, masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” u la në fuqi për Fiqeret Xhafën, i dyshuar për “Mashtrim”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po ashtu, me të njëjtën masë sigurie do të vijojnë të hetohen edhe tre punonjës të Kadastrës së Durrësit: Jonida Mergeja, Leandro Dervishi dhe Artur Çobani. Ata dyshohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Hetimi për këtë çështje ka nisur që në vitin 2022, ndërsa në kuadër të procedimit penal, Prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestron preventive mbi 13 parcela toke, të dyshuara si pjesë e skemës së tjetërsimit të paligjshëm.
Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë arritur të ekzekutojnë disa prej masave më të rënda. Katër persona, për të cilët është caktuar masa “Arrest në burg” në mungesë, vijojnë të jenë në kërkim. Tre prej tyre janë ish-zyrtarë të Kadastrës, ndërsa i katërti dyshohet si përfitues nga kjo skemë.
Po ashtu, mbetet e paekzekutuar edhe një tjetër masë “Arrest në shtëpi” ndaj një personi të dyshuar si përfitues në këtë çështje, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e vendimeve të drejtësisë në këtë dosje të ndjeshme.
Çështja e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Durrësit konsiderohet si një nga skemat më të rënda të abuzimit me tokat në zonat turistike, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin e përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



