Trafikuan kokaine nga Amerika Latine, si u zbërthyen nga bisedat në SKY Ecc

Grupi kriminal që u zbërthye nga bisedat në SKY Ecc dyshohet se është përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut disa vende të tjera në Evropë. 

Gjithashtu po hetohen lidhjet e grupit me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.

“Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri”, njofton SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë hetimeve të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

  • Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
  • Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
  • Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
  • Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;
  • Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;
  • Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;
  • Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
  • Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre.

Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit, si edhe përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Në prangat e policisë kanë rënë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Bercani, shtetasi Besmir Murati, shefi i Krimeve të Rënda, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajetin

Publikuar nga Publik Media