Tragjedi në Perugia: Vritet me thikë 23-vjeçari shqiptar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Perugias në Itali gjatë natës, ku është vrarë me thikë një 23-vjeçar me origjinë shqiptare, i identifikuar si Hekuran Cumani.
I riu, i lindur dhe rritur në Fabriano, por me rrënjë shqiptare, u godit për vdekje në qafë dhe në gjoks gjatë një zënke që nisi për arsye të kota dhe përfundoi në tragjedi.
Krimi ndodhi pranë fakultetit të Matematikës
Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ka ndodhur në parkingun pranë fakultetit të Matematikës, ku Hekurani ndodhej bashkë me disa miq për një mbrëmje argëtimi.
Pas disa ndalesave në lokale, grupi i tij ishte drejtuar drejt barit “110 Caffè”, vendi ku ndodhi përplasja fatale.
Aty, të rinjtë janë përballur me një grup tjetër, që sipas dëshmive të para ishin të huaj, por rezidentë në Perugia.
Pas një debati verbal, situata degjeneroi në dhunë, dhe një prej anëtarëve të grupit tjetër e goditi Hekuranin me thikë në zonën e qafës dhe gjoksit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mjekët nuk mundën ta shpëtonin
Ambulanca mbërriti menjëherë në vendngjarje, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin 23-vjeçarin.
Sipas burimeve policore, gjurmët e gjakut në asfalt tregojnë se ai është përpjekur të largohet për disa metra pas goditjes, përpara se të binte përtokë pranë hyrjes së fakultetit.
Hetimet në vijim – autori në kërkim
Policia italiane ka marrë në pyetje miqtë e viktimës, të cilët kanë dhënë dëshmi të rëndësishme për identifikimin e autorit të dyshuar.
Aktualisht po vazhdojnë marrjet në pyetje dhe po analizohen kamerat e sigurisë në zonë për të rindërtuar me saktësi momentet e ngjarjes.
Autoritetet kanë përjashtuar pistën e trafikut të drogës apo konflikteve universitare, duke theksuar se bëhet fjalë për një grindje të çastit që përfundoi tragjikisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



