Tragjedi në Ulqin,Vret bashkëjetuesen dhe i vë flakën banesës
arrestohet 46-vjeçari nga Kosova (Dyshohet se viktima ishte shtatzënë)
ULQIN – Një krim makabër ka tronditur Ulqinin e Malit të Zi gjatë natës, ku një 46-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka vrarë bashkëjetuesen e tij shqiptare dhe më pas ka tentuar të fshehë gjurmët duke i vënë flakën banesës ku jetonin.
Sipas mediave malazeze, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 00:30 në lagjen Kodër. Pas njoftimit për një zjarr në një banesë, forcat e policisë dhe zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku brenda mjediseve të djegura kanë gjetur trupin e pajetë të një gruaje.
Identifikohet viktima dhe autori i dyshuar
Viktima është identifikuar si shtetasja shqiptare me iniciale D.N., 36 vjeçe, me origjinë nga Lezha. Burime jozyrtare bëjnë me dije se e reja dyshohet të ketë qenë shtatzënë, megjithatë ky informacion mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Pak pas zbulimit të tmerrshëm, policia arriti të identifikojë dhe të vërë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Bashkim Gashi, 46 vjeç, nga Kosova. Ky i fundit kishte pësuar djegie nga zjarri dhe fillimisht u transportua në spitalin e Tivarit, ndërsa më pas u dërgua në Qendrën Klinike të Podgoricës, ku po trajtohet nën masa të rrepta sigurie nga policia.
Hetimet dhe dinamika e krimit
Autoritetet malazeze kanë ngritur dyshimet se 46-vjeçari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”. Pasi ka vrarë 36-vjeçaren, ai i ka vënë zjarrin shtëpisë me qëllim djegien e trupit dhe provave, e më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në koordinim me Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgoricë, janë sekuestruar kamerat e sigurisë rreth zonës dhe janë mbledhur prova materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës.
Trupi i pajetë i 36-vjeçares nga Lezha është dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion, i cili do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe nëse viktima ishte vërtet në pritje të një fëmije.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



