E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tre muaj më vonë, Përmbarimi zbaton vendimin e Gjykatës kundër HEC-eve të Gener 2 në Valbonë
Lajme

Tre muaj më vonë, Përmbarimi zbaton vendimin e Gjykatës kundër HEC-eve të Gener 2 në Valbonë

Përmbarimi ka zbatuar më në fund vendimin e Gjykatës së Lartë pas më shumë se tre muajsh që kjo gjykatë pezulloi kontratat koncesionare për hidrocentralet e ndërtuara në zonën e mbrojtur të Luginës së Valbonës nga kompania “Gener 2”.

Gazeta Shqip konfirmon se vendimi është marrë këtë të martë nga përmbaruesja gjyqësore e Kukësit, Satbere Shahu. Ky vendim i ka dhënë fund ping-pongut të denoncuar në Zona Zero në Top News nga protagonistët e betejës ligjore kundër ndërtimit të HEC-eve në Luginën e Valbonës, shpallur Park Kombëtar që prej vitit 1996.

Shtetësja amerikane Cathrine Bohne dhe ish-nënkryetari i Bashkisë së Tropojës, Kasmet Ponari, themelues të shoqatës “Toka” pohuan në një intervistë të dhënë për Zona Zero se janë paditur, sulmuar e kërcënuar nga kompania ndërtuese e këtyre HEC-eve, Gener 2 vetëm e vetëm se kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë.

“Mua më kanë thënë personalisht: “Çfarë ke ti? Ti nuk je prej Valbone”. Gjëra të tilla në tentime për konflikte. Jo vetëm formë presioni, por edhe kërcënim. Unë kam bërë kallëzim dhe denoncim dhe një herë u bë mediatike, sepse isha me grupin e gazetarëve të Top Story ku jemi sulmuar verbalisht dhe fizikisht”, tregoi Ponari.

Ai tha se pikërisht kundërshtimi i HEC-eve në Valbonë ka qenë edhe arsyeja se përse e kanë shkarkuar nga detyra e nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës.

Ndërkohë, shtetësja amerikane, Cathrine Bohne u shpreh se fakti që ka pasaportën amerikane e ka mbrojtur disi nga kërcënimet e drejtpërdrejta, por deklaron se është paditur në gjykatë për prishje imazhi.

“Janë pak më të kujdesshëm ndaj meje, sepse kam pasaportë amerikane. Më kanë ngritur një paadi për dëmtim imazhi dhe kanë kërkuar dy milionë lek prej meje, sepse ka shkruar keq në Facebook dhe kam folur për mediat”, tha ajo për Zona Zero.

Shtetasja amerikane, që ka bërë Tropojën shtëpi të saj prej vitit 2009 thotë se gjatë të gjithë kësaj përplasje dhe kohe ka kuptuar se problemi është te mosfunksionimi i shtetit.

“Ne jemi në një pikë që HEC ka përfunduar. Sot është problem mjedisor, por ai ekziston, sepse shteti nuk funksionon, sistemi nuk funksionon. Kur HEC nuk kishte leje ndërtimi kemi bërë një denoncim për krim penal, sepse njëri u arrestua se po ndërtonte një stan pa leje. Por, prokurori i Tropojës ka dashur dy vite për të hetuar. Se ça kishte për të hetuar, që ka leje apo jo, kaq! Unë më vonë kam mësuar se ligji nuk lejon hetimet pas 3 muajsh”, shtoi Bohne.

Pezullimi i punës në dy hidrocentralet vjen pas një beteje disavjeçare nga banorët e zonës së Valbonës, të cilët korrën një fitore të vonuar kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia dhe Çeremi.

Vendimi u mor 5 vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh nga Valbona dhe shoqata “Toka”.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë njoftoi me 21 korrik se kishte prishur vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe kishte vendosur sigurimin e padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve.

Vendimi i gjyqtarëve Sokol Sadushi, relatorit Ilir Panda dhe Sokol Binaj thotë se pezullohej kontrata e koncesionit, shtesat që i ishin bërë asaj dhe lejet e përmendura në padi. Pezullimi sipas vendimit të shkurtuar do të zgjasë “deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve.

Ai gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin, por qeveria shqiptare gjatë dekadës së fundit vendosi aty ndërtimin e disa HEC-eve. Përplasje të ngjashme mes banorëve dhe kompanive të ndërtimit të HEC e qeverisë vijojnë prej vitesh në të gjithë vendin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.