Tronditet Lezha/ I vdes i biri, edhe e ëma i jep fund jetës
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lezhën, ku humbja e parakohshme e një 42-vjeçari është pasuar nga vetëflijimi i nënës së tij, e cila nuk arriti ta përballojë dhimbjen e madhe.
Ngjarja e parë u regjistrua në fshatin Lalm i Ri, ku Aleksandër Marku, 42 vjeç, u gjet pa shenja jete në dyqanin e tij të veglave të punës. Sipas policisë, nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Pas marrjes së lajmit tragjik, në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, nëna e tij, Prene Marku, 72 vjeçe, dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Ajo është gjetur pa shenja jete nga familjarët në ambientet e banesës në fshatin Lalm i Ri, duke thelluar edhe më tej dhimbjen për familjen.
Trupat e pajetë të nënës dhe djalit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’u nënshtrohen ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e saktë të shkaqeve të humbjes së jetës.
Policia po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



