Tronditet projekti i Aeroportit të Vlorës, tenderi në ‘sitën’ e SPAK

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Dyshime për shkelje të barazisë dhe paracaktim të fituesit, 2 persona të pandehur

Pas afro një viti hetimesh intensive, Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshime serioze për shkelje të procedurave në koncesionin e aeroportit të Vlorës, duke vënë në pikëpyetje integritetin e garës.

Sipas informacioneve të bëra publike, hetimi ka zbuluar elemente që sugjerojnë se procesi i përzgjedhjes së kompanisë fituese mund të ketë qenë i manipuluar, me favorizim të një subjekti të caktuar që në fazat e hershme të garës.

Raportohet se janë thirrur dhe janë marrë në pyetje disa anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, ndërsa ndaj tyre janë komunikuar edhe akuzat e para. Konkretisht, bëhet fjalë për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, e cila lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si janë trajtuar ofertat konkurruese.

Hetimi është drejtuar nga prokurori Klodian Braho, i cili ka ndërmarrë hapat e parë proceduralë për formalizimin e akuzave ndaj personave të përfshirë. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, dyshohet se gjatë procesit të vlerësimit nuk është respektuar parimi i barazisë mes kompanive pjesëmarrëse, duke krijuar avantazh për një ofertë të caktuar.

Megjithëse hetimi është zhvilluar në kushte të forta konfidencialiteti, burime pranë çështjes bëjnë me dije se komunikimi i akuzave për këtë vepër është bërë edhe për shkak të afateve ligjore, ndërsa paralelisht po hetohen edhe dyshime për vepra më të rënda penale, si korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Procedura për koncesionin e aeroportit të Vlorës u vendos nën hetim paraprak në muajin korrik të vitit të kaluar, pas një kallëzimi të depozituar nga një qytetar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Ndërkohë, projekti është përfshirë edhe në një tjetër përplasje ligjore në Prokurorinë e Tiranës, që lidhet me konfliktin mes aksionerëve kryesorë, Begjet Pacolli dhe Valon Ademi.

Deri më tani, SPAK ka ngritur akuza për dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në shkeljen e barazisë gjatë procesit të tenderimit. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka përgjegjësi të tjera penale dhe për të dokumentuar plotësisht këtë çështje me rëndësi të lartë publike.

Publikuar nga Publik Media