U plagos nga Fatmir Frroku në Institut, ishin shokë me Jatën
Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e djeshme në zonën e Institutit, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20, në rrugën “Ramadan Çitaku”, ku 40-vjeçari Mariglen Jata mbeti i plagosur pasi u qëllua në këmbë.
I dëmtuari është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Deri më tani nuk raportohen të dhëna për rrezik për jetën.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të ngjarjes Fatmir Frrokun, i cili është shpallur në kërkim. Sipas informacioneve paraprake, Jata dhe Frroku kanë qenë shokë më herët, por prej rreth tre muajsh nuk kishin më marrëdhënie. Dyshohet se mbrëmë mes tyre ka pasur një përballje, e cila ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.
Oficerët e policisë pritet të marrin në pyetje të plagosurin në spital, për të sqaruar motivet e konfliktit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Hetimet vijojnë, ndërsa shërbimet e policisë po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



