E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U plagos sot në Rinas, 40-vjeçari agjent i AMP-së
Lajme

U plagos sot në Rinas, 40-vjeçari agjent i AMP-së

Të tjera detaje janë mësuar nga atentati mafioz që tronditi pasditen e sotme zonën e Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Tiranë.

Personi që ndodhej me të në makinë, Muçi Shaljani, i njohur edhe me nofkën Sheqeri, mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit pasi një prej plumbave e goditi në kokë.

Mësohet se Muçi Shaljani në tre muajt e fundit kishte shërbyer si agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Si ndodhi atentati

Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm 25 minuta pasi Gilmando Dani ishte kthyer nga Barcelona. Rreth orës 13:55, ai mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” ku u prit nga Shaljani. Vetëm pak më vonë, rreth orës 14:20, në afërsi të rrethrrotullimit pranë Rinasit, ndaj automjetit të tyre Mercedes-Benz S-Class u qëllua me breshëri automatiku.

Dani humbi jetën në vend, ndërsa Shaljani mbeti i plagosur rëndë. Sipas burimeve hetimore, autorët duket se kishin informacion të saktë mbi lëvizjet e tyre dhe i ndoqën që nga momenti i daljes nga aeroporti.

Pas ngjarjes, policia rrethoi zonën dhe ngriti disa pika kontrolli në rrugët që lidhin Tiranën me Fushë-Krujën, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë përreth.

Kush ishte Gilmando Dani

Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, kishte dalë nga burgu më 6 tetor 2024, pasi kishte shlyer dënimin prej 12 vitesh për “shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Ai ishte dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda, në të njëjtën dosje me Shullazin, për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, mes tyre edhe Ylvi Beqja.

Kjo nuk ishte hera e parë që ndaj Danit kryhej atentat. Ai kishte mbijetuar në dy ngjarje të tjera të ngjashme, në vitet 2011 dhe 2015, ku kishte mbetur i plagosur.

Vetëm një vit e gjysmë pas daljes nga burgu, Dani humbi jetën në një pritë të organizuar me saktësi ushtarake, që mendohet të ketë qenë rezultat i një konflikti të brendshëm mes grupeve kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.