E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U zunë në lokal, i riu kthehet me pistoletë për të vrarë 51-vjeçarin
Lajme

U zunë në lokal, i riu kthehet me pistoletë për të vrarë 51-vjeçarin

Policia parandalon krimin në Divjakë, 6 të arrestuar

Një konflikt i nisur në një lokal në Divjakë ka marrë përmasa të rënda, ndërsa ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale me pasoja fatale.

Policia e Divjakës është njoftuar fillimisht për një konflikt në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç. Sipas të dhënave të policisë, në përleshje janë përdorur sende të forta.

Shërbimet policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur të dëmtuar 22-vjeçarin O. L. dhe 51-vjeçarin Sh. Xh. Të dy personat kanë marrë ndihmën mjekësore dhe, pasi kanë dhënë deklarimet e tyre në Komisariat, janë larguar drejt banesave.

Por hetimi mori një tjetër drejtim disa orë më vonë. Gjatë veprimeve për zbardhjen e konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia siguroi informacion se O. L. ishte kthyer sërish në lokalin ku kishte ndodhur konflikti.

Sipas informacionit të marrë në rrugë operative, 22-vjeçari ishte i armatosur me një pistoletë me silenciator dhe dyshohet se kishte shkuar me qëllim për të vrarë Sh. Xh.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e ngjarjes dhe arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në këtë episod.

Në kuadër të operacionit, specialistët e Hetimit të Krimeve arrestuan gjashtë persona.

O. L., 22 vjeç, rezulton me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë. Gjatë kontrollit, atij iu gjet një pistoletë me silenciator dhe fishek në fole, e gatshme për qitje.

K. S., 45 vjeç, me precedent penal për veprimtari të lidhur me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve në Shqipëri. Gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjet një tjetër armë zjarri pistoletë.

S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e narkotikëve, dyshohet se drejtonte automjetin me të cilin O. L. ishte kthyer në lokal disa orë pas konfliktit fillestar.

S. A., 30 vjeç, akuzohet se ka tentuar të largojë armën e zjarrit nga automjeti i K. S.

Në pranga ka rënë edhe Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, i dyshuar për moskallëzim krimi.

Po për të njëjtën vepër penale është arrestuar edhe Sh. Xh., 51 vjeç. Sipas hetimeve, gjatë deklarimit të tij në Polici ai nuk ka treguar të vërtetën lidhur me rrethanat e konfliktit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri pistoletë, njëra prej të cilave e pajisur me silenciator, si dhe katër automjete dhe gjashtë aparate celulare.

Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar në mënyrë të plotë rrethanat e konfliktit, rolin e secilit prej personave të arrestuar dhe aktivitetin e tyre të dyshuar kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e veprimeve të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.